Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës që punoi për projektin e Muzeut Historik Kombëtar përbëhej nga arkitektët: Sokrat Mosko, Enver Faja, Nina Shehu dhe Petraq Kolevica. Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar paraqet 13 figura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve, kordhëtarëve dhe shigjetarëve ilir dhe shqiptarëve të luftës anti- osmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas 5 figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare. Në mjediset e tij mund të vizitoni: Pavijonin e lashtësisë, Pavijonin e mesjetës, Pavijonin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pavijonin e Pavarësisë, Pavijonin e ikonave, Pavijonin e LANÇ-it, Pavijonin e persekutimit komunist dhe Pavijonin e Nënë Terezës.
Çdo sallë ekspozimi ka arkitekturë të veçantë duke shmangur kështu monotoninë e përsëritjes. Krahas sallave të pavijoneve, muzeu ka edhe mjediset e arkivit e të laboratorëve, salla të ekspozitave të përkohshme si dhe salla konferencash.
Ky muze është ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së vendit tonë. Ai luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e një imazhi tek vizitorët. Për muzetë, ndryshe nga historia e shkruar, gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.