Në qendër të qytetit të Elbasanit, shumë pranë Rrapit të Bezistanit, ndodhet një shtëpi karakteristike, e cila në vitin 1986 u kthye në muze. Ky muze, i cili përfaqëson traditat dhe mënyrën e të jetuarit në Elbasan, gjendet në një nga shtëpitë e vjetra të qytetit. Ndërtesa është 200 vjeçare dhe përfaqëson shtëpitë tipike të stilit post-mesjetar shqiptar. Për nga lloji, kultura dhe origjinaliteti, godina është nga më të rrallat në vend. Në planin kompozicional dhe në përgjithësi në konceptimin e saj funksional dhe arkitektonik, kjo banesë u ngjan shumë banesave me çardak që ndodhen rëndom në Berat dhe në Shkodër.
Kati i parë përdorej si magazinë ku futeshin prodhimet bujqësore dhe rezervat me të cilat ushqehej familja. Ndërsa, kati i dytë përdorej për banim dhe përbëhet nga koridori i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave, si dhe dhoma e nuses.
Ajo që të bie në sy është origjinaliteti i çdo detaji brenda banesës.
Etnokulturën e kësaj zone e pasqyrojnë në mënyrë përfekte punimet e hajakpunuesve, qeleshpunuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve apo edhe mullinjtë e lashtë me vaj.
Brenda kësaj godine, ekzistojnë 800 objekte të rralla që të ftojnë të vitosh këtë muze kaq impresionues. Eja edhe ti!