Shtëpia e Piktorit Sali Shijaku, e cila konsiderohet si shtëpia më e vjetër në Ballkan, ndodhet në Tiranë, në rrugën “Vildan Luarasi”. Ndërtimi i saj me mur guri, qerpiçi dhe skelet druri i përket vitit 1400. Dikur kjo ndërtesë ka funksionuar si spital turk.
Në katin e parë ndodhet dhoma e pritjes ku zhvilloheshin aktivitete të ndryshme afër oxhakut, dhe vendi është i mbushur me piktura të rralla. Në katin e dytë gjenden dhomat e gjumit, të mbushura gjithashtu me piktura dhe portrete. Shkallët që ndërlidhin katet janë prej druri.
Në këtë shtëpi ndodhet një arkë e vjetër me piktura te errëta ku vendoseshin pajat e nuses. Ajo nuk ka tavan, pasi në funksionin origjinal tymi i vatrës qendrore dilte nëpërmjet hapësirave të çatisë. Ky element ruhet edhe në ditët e sotme, duke na sjellë një shembull konkret të tipit më të zhvilluar të banesës tiranase.
Në fillim të shek. XX është bërë një rikonstruksion i mjediseve të saj.
Shtëpia muze është monument kulture i kategorisë së parë, e cila nuk ka vetëm vlera arkitekturore por edhe historike të një brezi të tërë që u rritën në këtë shtëpi atdhetarësh e luftëtarësh.