Zejtarët dhe artizanët shqiptarë e gjejnë frymëzimin për krijimin e punimeve të tyre tek tradita, motivet e lashta shqiptare të cilat kanë në thelb ndjenjën e patriotizmit. Punimet që artizanët krijojnë janë kryesisht prej guri, druri, dhe qeramike. Por, ata merren edhe me punimet e sixhadeve, qilimave me motive kombëtare, për të cilat punojnë për ditë të tëra. Punime artizanale në dru, guaska e guralecë, si dhe etnografi kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj, por edhe atyre vendas të cilët nuk ndodh të largohen nga qyteti bregdetar pa marr me vete suvenire.
Artizanët në Vlorë
Axhi Dapaj, mjeshtri që ruan traditën e gdhendjes së drurit.
Axhi Dapaj ka afro gjysmë shekulli që punon me përkushtim në punishten e tij të drurit në periferi të Vlorës. Dapaj shprehet se e ka zbuluar pasionin kur ishte fare i ri dhe i duhej të ndërtonte shtëpinë e tij.
Vladimir Kamberi, mjeshtër i punimeve artistike me guacka, guraleca e gjithëfarë fosilesh që nxjerr deti në breg.
Me gjithë pasionin që ka për punën e tij, Vladimir Kamberi shprehet pesimist në trashëgimin e mjeshtërisë së mozaikut me fosile dhe guacka deti. Ai tregon se s’ka të rinj të interesuar, s’ka organizime që i mbështesin dhe se dita ditës ai po e lë këtë mjeshtëri të zhduket nën valët e detit të Vlorës, duke u mbajtur mend si një mjeshtër në Vlorë, i cili bënte art me guacka dhe fosile deti të papara.