Artizanati në Vaun e Dejës është trashëguar brez pas brezi, duke bërë që gratë dhe vajzat e kësaj zone të ushtrojnë këtë traditë me fanatizëm të rrallë dhe krenari, sidomos në tezgjah.
Punët e dorës së grave janë ato që më së shumti i kanë rezistuar kohës, deri në ditët e sotme. Sofrabezet e prodhuara nga gratë zadrimore, por jo vetëm, janë të një cilësie të lartë dhe shumë të preferuara.
Një vend të rëndësishëm në punëdoret e grave zë edhe përgatitja e kostumeve tradicionale. Ato janë ruajtur në origjinal dhe janë shprehje e qartë e identitetit të këtyre zonave. Shumë e lashtë vjen tek gratë tradita e punimit të krimbit të mëndafshit, që përdorej për prodhimin e veshjeve dhe pëlhurave që i nevojiteshin një shtëpie.
Por, artizanati që dallohet më së shumti në këtë zonë është ai i tezgjahut, një traditë e vjetër e trashëguar brez pas brezi.
Tezgjahu
Tezgjahu, një pajisje artizanale prej druri gjendej pothuajse në çdo shtëpi, të çdo zone të vendit, si: Vlorë, Gjirokastër, Fier, Berat, Krujë, Lezhë, Tropojë, Kukës, etj.
Ajo është traditë e lashtë e vajzave dhe grave që endnin prodhime për nevojat e familjes dhe të të afërmve të tyre.
Një vend të rëndësishëm në punimet me tezgjah zënë qilimat, sixhadetë, por edhe veshjet popullore të punuara me një larmi ngjyrash dhe modelesh. Me anë të disa pajisjeve të thjeshta, kallama, shkopinj, dërrasa, tuba e litarë mund të realizohen prodhime të veçanta, të bukura dhe të larmishme, që i bëjnë konkurrencë edhe markave më të famshme.
Artizanët e Vaut të Dejës
Nushe Deja është një zonjë nga Vau i Dejës e cila pasionin për krijimin e veshjeve tradicionale e ka të trashëguar nga familja. Nusha Deja tregon se këto punime janë identiteti i tyre, ndaj ajo do e vazhdojë punën deri sa sytë e saj të mos shohin më e duart të mos i punojnë.