Në shekujt XVI-XVII, sikurse dëshmohet në disa dokumente, shqiptarët kur uleshin për të ngrënë, në të shumtën e rasteve, përdornin sofrat prej druri të madhësive të ndryshme.
Deri në Luftën e Parë Botërore kishte ende zona të thella e të varfra që përdornin tasa, lugë e enë uji prej druri. Ndërsa në zonat më të zhvilluara, krahas enëve prej qeramike të glazuruar, si shtamba, bardhakë, vorbe, qypa e poçe, misurë e tasa, përdornin edhe enët prej bakri por të kallaisura mirë, si dhe sahanët prej tunxhi.
Në fshat, mëngjesi hahej herët, para se të fillohej puna. Gjatë stinës së verës, kur pjesëtarët e rritur të familjes punonin në ara, ishte zakon që një grua nga shtëpia t’ua çonte drekën në fushë.
Një ndër traditat mijë-vjeçare shqiptare është mikpritja e ngrohtë dhe bujare, ndaj në shumicën e rasteve ushqimi i përditshëm i familjes ishte shumë më i varfër se ai që përgatitej për raste festash ose për miq.
Në vitin 1637, Frang Bardhi shkruan: “Festat e veta i kremtojnë me dëm të madh, sepse sëpaku tri ditë e kanë zakon t’u qesin me ngranë e me pi deri në grykësi gjithë miqësisë së tyne dhe mund të gjendet ndonjë konak ndër ta ku mund të shkojnë për festë ma shumë se 200 vetë.”