Mokra ndodhet në Shqipërinë Juglindore në viset e Pogradecit. Veshja e grave të kësaj krahine është mbajtur në dy variante: Veshja e grave ortodokse dhe veshja e grave muslimane.
Elementet themelore të veshjes së grave ortodoke ishin këmisha e gjatë tek fyelli i këmbës, me kinda në të dy anët, me mëngë të gjata e të qëndisur. Pjesë të tjera të veshjes ishin edhe cibuni, neça (përparja me dy fletë pëlhure të lashtë e me vija horizontale), brezi, çorapet dhe shamia e kokës.
Veshja e grave muslimane të Mokrës  përbëhej nga një këmishë pëlhure e bardhë, pothuajse e njejtë me atë të grave të krishtera vetëmse pak më e gjerë. Poshtë këmishës vishej fustanellë basmeje ose fanellate. Pjesët e tjera të kostumit ishin: xhoka, përparësja, qesikja (jelek prej shajaku) dhe kokorja.