Shkodra 2500 vjeçare njihet si një qytet me traditë të lashtë kulturore.
Në shumëllojshmërinë e elementeve përbërëse të kulturës së saj, ajo që i jep një stil unik veprimtarisë së Shkodrës është kultura artizanale e këtij populli, e zhvilluar në drejtim të përpunimit të materialeve të ndryshme si: druri, metali, dhe lëkura me të cilën zakonisht punonin burrat. Gratë, në anën tjetër, punonin kryesisht me qëndisjen e rrobave, çarçafëve, jastëkëve, mbulesave të tavolinave, në endjet e shumëllojshme të pëlhurës, në punimet  e qilimave.
Prodhimet artizanale të qytetit të Shkodrës janë të ndara sipas zonave  gjeo-etnografike: zona e Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Shllakut, Postrribës, Zadrimës, Anamalit, Krajës si dhe të krahinave të Pukës e të Mirditës.
Materialet e përdorura për punimin e tyre janë kryesisht të burimit vendas, por janë përdorur edhe materiale të importuara.

Punimet janë të klasifikuara sipas funksionit në:
Tekstile, si: veshje komplete ose elemente veshjesh, sende mobilimi të ambienteve shtëpiake, si qilima, perde, mbulesa tryeze. Në punimin e tyre është përdorur dendur leshi, mëndafshi natyror, pambuku, liri.
Orendi druri me gdhendje, si: rafte, tryeza, karrige, elementë dekorativë të banesave, me motive gjeometrike, floreale e zoomorfe.
Objekte prej guri, elementë të pjesës se jashtme të shtëpive qytetare, si gryka pusi, lugje, enë masive depozitimi, pjesë arkitekturore banesash dhe objekte tjera të gdhendur me motive interesante e me forma origjinale.
Vegla pune të mjeshtërve të ndryshëm, si: kovaçit, argjendarit, lëkurëpunuesit, bakërpunuesit, drugdhendësit, armëpunuesit, etj. Vegla muzikore tradicionale si: lahuta, çifteli, fyej, zumare, saze etj.

Artizanët në Shkodër
Nebije Çotaj është një ndër artizanet më te vjetër të Shkodrës. Këtë zanat e ka të trashëguar nga të parët e saj.
Kërkesat për punën e saj janë të shumta nga gjithë trevat shqiptare, por jo vetëm. Në punishte të bien në sy qilimat, torbat, sixhadetë si dhe mbulesat e krevateve të gjitha të punuara me dorë, disa të punuara vetë e disa të trashëguara ndër vite.