Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes sonë ilire, që malësoret e përcollën deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve ku emblema për të gjitha është shqiponja.
Nëse historia e popujve të tjerë të lashtë u trashëgua duke u shkruar në “hieroglifë” të gdhendura në gurë e mjete të tjera “rrethanore”, te iliro-shqiptarët kjo histori u trashëgua e “qëndisur” në mesazhet, ngjyrat, simbolet e figurat e xhubletës.
E kush nuk është̈ mahnitur nga dallgët e kësaj veshjeje të sojshme të grave të Veriut të Shqipërisë̈, kësaj vepre arti mijëvjeçare që kushdo do të kishte dashur ta kishte.
Xhubleta përbëhet nga një fund në trajtë kambane, që vjen i valëzuar nga fundi, sidomos në pjesën e pasme të tij. Kjo veshje përmban një numër të madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht ndërthurur me breza gajtanësh dhe mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.
Nga simbolet kryesore të Xhubletës janë: simboli i dy shqiponjave të Zeusit, zvastika diellore, gjethet e lisit, motive tē tjera pagane dhe kristiane, filigrama të punuara me art e me motive të larmishme floreale, pullat e Xhubletës, stolitë e bukura të punuara me bakër/serm/argjend dhe me larje ari, të cilat përveçse i japin kësaj veshjeje një pamje të veçantë, tregojnë edhe gjendjen shoqërore të gruas që e bartte.
Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të këtij kostumi janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.
Xhubleta mbetet krenaria e kulturës sonë të lashtë, ndoshta nga të vetmet veshje pa asnjë ndikim oriental, as sllav, dhe është dyvariantëshe (M. Madhe – Dukagjin), shëmbëlltyre e Alpeve tona madhështore, simbolikë e kulteve të vjetra të stilizuara me zgjuarsi e delikatesë.