Më datë 25 maj u organizua promovimi i librit “Arsimi në krahinën e Ishmit” të autorit Agim Lika, botimin e të cilit e mundësoi Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT).
Ky libër është fryt i një përvoje 25 vjeçare në mësimdhënieje dhe i një literature të pasur që vetëm autori i kësaj vepre ka ditur ta grumbullojë dhe ta përmbledhë me aq saktësi.
Për publikun dhe artdashësit, z. Lika solli të vërteta historike nga arkiva e pasur kërkimore, duke shpalosur para tyre një pasqyrim të plotë të historisë së arsimit dhe shkollave shqipe në krahinën e Ishmit.
Në promovimin e këtij libri, që u mbajt në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, morën pjesë personalitete të fushave të ndryshme, si Kryetari i njësisë administrative Ishëm, z. Kadri Gjyli, Kryetari i OJF “Ishmi”, z. Isuf Shehu, studiuesi Prof. Asoc. Dr. Bernard Zoto, z. Nexhmedin Basha, z. Kujtim Xhebexhiu, Dr. Shkëlqim Sirika, z. Isuf Shehu, Koordinatorja e IETT-së, znj. Anisa Hykaj etj.
Në përfundim të takimit, libri “Arsimi në krahinën e Ishmit” u dhurua për të gjithë pjesëmarrësit, mësimdhënësit dhe dashamirësit e leximit.
IETT do jetë gjithmonë e hapur për të mbështetur botime të tilla domethënëse, të cilat ofrojnë për lexuesit shqiptarë, njohuri dhe vlera të veçanta, si dhe lehtësojnë rrugën drejt formimit tonë të mirëfilltë si shoqëri dhe komunitet.