Thuhet se ishte një malësor me emrin Gjergj Elez Alia, i cili kishte nëntë plagë të rënda mbi trup dhe dergjej në shtratin e vdekjes. Shumë kishte luftuar kundër shtypësve të huaj, nënë e babë i kishin vdekur, por kishte një motër që kujdesej për të natë e ditë te koka. Duke qenë në këtë situatë një baloz i zi, një trim i prapë, doli prej detit. Ky baloz rrënoi e shkatërroi vendin, duke prerë gjithë trimat që kanë guxuar t’i dalin në log të luftimit, derisa i erdhi radha dhe Gjergjit. Kështu, ai u detyrua të luftonte për nderin e shtëpisë dhe të motrës. Gjergji e urdhëroi të motrën që të shkojë dhe t’i mbath gjokun (kalin) e luftës te nallban-probatini. Balozi tregohet njeri i mbrapshtë dhe i lyp asaj “faqet e sytë”. Vajza i përgjigjet rëndë me fjalë dhe niset e bie në derë të nallban-jaranit (kumbarës). Ky ia mbath kalin mirë e bukur e të nesërmen Gjergji i del në log të burrave bajlozit të tmerrshëm.
Trimat në fillim hakërrohen me fjalë, pastaj nis një dyluftim nga më të egrit dhe Gjergj Elez Alia më në fund del fitimtar duke ia prerë kokën armikut. Pastaj kthehet në shtëpi, thërret përreth tij fshatarët, u fal atyre gjithçka ka nga pasuria e vet dhe u lë amanet të motrën.
Por, pikërisht në atë çast kur ai përpiqet ta përqafojë motrën për herë të fundit, që të dyve u pushojnë zemrat në kraharor dhe vëlla e motër vdesin të përqafuar. Fshatarët hapin një varr të gjerë e të gjatë dhe i varrosin ata ashtu siç ishin, ndërsa te varri i tyre e mbjellin tek koka në shenjë jete një bli.