Isopolifonia është folklor vokal, instrumental dhe koreografik dhe tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare, shpallur “Kryevepër e trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit” nga UNESCO, më 25 nëntor 2005. Isopolifonia është dukuria bazë muzikore në Shqipërinë e Jugut, e cila ndërtohet mbi parimin e këndimit të një apo disa zërave të ndryshëm solistikë, mbi një shtrat isoje të kënduar nga grup këngëtarësh.
Tipet kryesore të saj janë isopolifonia labe, isopolifonia toske dhe isopolifonia çame. Isopolifonia është 2-3 dhe 4-zërëshe, vokale, instrumentale dhe koreografike.
“Iso-polifonia” jonë popullore, kjo dukuri e jashtëzakonshme e të konceptuarit dhe e komunikimit njerëzor është vendosur në vendin që meriton: në listën e kryeveprave të botës shpirtërore të njerëzimit.
Kjo listë e kryeveprave në thelb përbëhet nga fenomene dhe shfaqje dukurish të kulturave shpirtërore të popujve të ndryshëm të botës, të cilat qëndrojnë në themel të kulturës njerëzore dhe dallohen për frymën dhe llojin unikal që ato përfaqësojnë. Ndër to përmendim: makamet e Irakut, operan e Pekinit, vedat indiane etj.