Ahengu shkodran është një pjesë e rëndësishme e repertorit të muzikës popullore të qyteteve shqiptare të Gegërisë. Ky aktivitet, pjesë e folklorit tonë, organizohet në “perde” – shkallë muzikore specifike, të cilat janë gjithsej dymbëdhjetë. Në secilën perde gjejmë një repertor muzikor, që përfshin kryesisht këngë, melodi me vegla dhe valle, të cilat ndërtohen mbi këto shkallë muzikore. Si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare, ahengu shkodran fillon të kristalizohet nga fillimi i shekullit të XVIII-të.
Në Shkodër ka pasur një rregull të veçantë, këngëtari duhej të këndonte këngët e ahengut njëra pas tjetrës.
Ahengjet zhvilloheshin natën e dasmës, ditën e martesës, mbrëmjen e kurorës, deri në mëngjesin e ditës së nesërme. Muzika shoqërohej nga një formacion i përbërë nga vegla popullore, si dhe ato të importuara.