Vetëm një orë larg Tiranës, në zemër të natyrës, ndodhet fshati i Shëngjergjit, i mbushur me pyje ahu e pishe, burime ujore e livadhe që të mbushin me frymë.
Çdo burim ujor në këtë fshat ofron një peizazh të bukur, por Ujëvara e Shëngjergjit është nga më tërheqëset për vizitorët. Bukuria e saj dhe rruga për të mbërritur aty, mes gjelbërimit të rrepeve e gështenjave, krijojnë një panoramë të veçantë.
Disa nga pikat turistike të cilat të lënë pa fjalë kur viziton Shëngjergjin janë liqeni, të cilit ia shtojnë më shumë hijeshinë kafshët që kullosin të qeta pranë tij, si dhe Mali me Gropa me ndërtim gjeologjik që nga koha e akullnajave, ku mund të shihen qindra gropa me përmasa të ndryshme dhe pamje mahnitëse.
Shëngjergji është gjithashtu i njohur për mikpritjen e ngrohtë të banorëve dhe ushqimet e shijshme të fshatit, të cilat janë të preferuara kudo, por kjo zonë ka edhe një specialitet të veçantë, byrekun me sheqer.
I banuar që në kohë të lashta dhe i njohur me emrat Tomadhe dhe Tamadea, Shëngjergji është një destinacion turistik ende pak i shfrytëzuar, por jashtëzakonisht tërheqës për natyrën e tij piktoreske.