Reçi, një fshat i vendosur në mes të kodrave në luginën e Shkrelit, është i njohur për larminë e madhe të bimëve aromatike e mjekësore, mirëpo gështenjat paraqesin tiparin e vërtetë dallues të tij.
Pemët e para të gështenjës, të cilat kanë rezistuar deri më sot, u mbollën rreth 250 vjet më parë, ndërsa sot ky frut është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave për komunitetin lokal.
Andaj, tashmë është bërë traditë që çdo vit, në fundtetori, të organizohet “Festa e Gështenjës” e cila i kushtohet promovimit dhe nxjerrjes në pah të vlerave që mbartin produktet tipike dhe atraksionet natyrore të zonës.
Përveç këngëve dhe valleve popullore, kësaj feste ia shtojnë edhe më shumë hijeshinë xhubleta 4000-vjeçare e kostumet tjera tradicionale, si dhe ecja në “Turin e Gështenjave”, nën pemët e gjethet e tyre të stolisura me të gjitha ngjyrat që vetëm vjeshta i ofron.
Nisur nga rëndësia e saj jo vetëm për këtë fshat, por për tërë Malësinë e madhe, Gështenja e Reçit është shpallur 𝐦𝐨𝐧𝐮𝐦𝐞𝐧𝐭 𝐧𝐚𝐭𝐲𝐫𝐨𝐫 që në vitin 1974.