Kalaja e Borshit ngrihet mbi një kodër, e cila përfundon në majë me një kreshtë shkëmbore dhe zë një pozicion qendror kundrejt qytetit antik të Borshit.
Kalaja e Borshit ngrihet në 500 m lartësi mbidetare dhe ka një pozicion të favorshëm për t’u vizituar. Sipas studiuesve, kalaja e ka zanafillën diku në shekullin e XII. Edhe pse ka mendime që ndërtimin e saj e lidhin me periudha të më hershme.
Kjo kala, kohë më parë njihej me emrin si Kalaja e Sopotit, ku përmendet dhe në kujtimet e Ana Komnenës, vajzës së Perandorit të Bizantit Aleksi I Komnenai. Kurse në periudhën e Ali Pashë Tepelenës u ndërtua dhe një xhami, e cila sot është edhe një arsye më shumë për ta vizituar këtë monument kaq të rëndësishëm.
Xhamia është e vendosur pranë hyrjes kryesore të kështjellës, që, ndonëse me dëmtime, ruhet relativisht mirë. Është xhami e tipit sallë me kupolë, me përpjesëtime të rënda, e ndërtuar me materiale vendi të përdorur, pa ndonjë përkujdesje të veçantë. Ajo është e ndërtuar me gurë të punuar dhe ka përmasa jo të vogla. Bazamenti i saj është shumëfaqësh, si edhe trupi i vetë minares.
Xhamia ka planimetri katrore, me përmasa 8.05 x 8.12 m. Hyrja bëhet nga porta e vetme në anën veriore dhe paraprihet nga portiku, dikur i mbuluar me çati druri e tjegulla.
Kalaja e Borshit ka një pozitë të rëndësishme strategjike jo vetëm sepse ndodhet pranë detit por edhe pranë njërës nga dy grykat që përshkonin që në lashtësi malet Akrokeraune, në mesjetë të njohura si malet e Himarës, duke lidhur bregdetin me brendësinë e vendit.
Vërtet Kalaja e Borshit dhe xhamia e saj, kanë vlera të pakontestueshme historike dhe arkitektonike dhe janë trashëgimi e rrallë e kulturës në vendin tonë.