Muzeu ndodhet në qendër të qytetit të Peshkopisë, rreth 30 metër larg bulevardit kryesor. Ai ka qenë i vendosur në objekte të ndryshme, por momentalisht objekti në të cilin gjendet ky muze, ka qenë ndërtesa e Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli”, një ndërtesë dykatëshe, e vjetër për nga vitet e ndërtimit, por e mirëmbajtur bukur mirë. Në këtë ndërtesë dy katëshe mund t’i vizitoni tre pavione me 2000 relikte mjaft të rëndësishme të periudhave të ndryshme kohore. Për t’i parë këto objekte ju duhen rreth një orë e gjysëm kohë.
Fillimisht do të keni rastin të njiheni me Pavionin e Arkeologjisë.Në këtë pavion ndodhen objekte që janë gjetur në zona të ndryshme të Dibrës, si: Çetush, Burim, Çidhen,Topojan, Grezhdan etj., dhe që datojnë që nga periudha e Neolitit të hershëm deri në mesjetë. Do të ndaleni mjaft gjatë në Pavionin e Historisë sepse vërtet Dibra ka rrithur shumë figura që kanë peshë të rëndësishme atëherë kur përmendet çështja kombëtar. Pikërisht në këtë janë pasqyruar luftrat dhe jeta politike e këtyre figurave si: Vehbi Dibra (Agolli), Elez Isuf Ndreu, Haxhi Lleshi etj., etj.
Pavioni i Etnografisë është më i madhi për nga sipërfaqja dhe objektet janë ndarë në tri dhoma, varësisht prej përshtatjes së objekteve me dhomat përkatëse. Rëndësi e veçantë i është kushtuar elementeve përbërëse të odës së miqëve ku janë të vendosura: mangalli, veglat e muzikës, enët e drurit dhë të botës, veglat muzikore, sixhadet etj. Po ashtu, te odo tjetër, janë të ekspozuara veshjet e burrave dhe të grave, ku çdokush mund të njihet me kostumet e Dibrës, jelekët e punuar me fije ari, djepin etj. Përveç kësaj, muret e muzeut janë stolisura me piktura të piktorëve më të njohur të kësaj zone.