Shqipëria është e njohur për një traditë tepër të pasur të artizanatit, e krijuar prej shekujsh nga mjeshtrat popullorë, në çdo krahinë të saj. Punime në dru, në hekur, bakër, alabastër, në materiale të çmuara ari dhe argjendi, lëkure, leshi, etj. , materiale të endura apo të qëndisura, mbartin në vetvete vlera të çmuara dhe janë dëshmi e identitetit tonë kombëtar. Këto punime artizanale, ngjallin interes të madh tek vizitorë dhe studiues të ndryshëm vendas dhe të huaj. Lezha është një zonë e njohur për punimet e artizanatit të trashëguar ndër breza dhe të shprehur më së shumti në zonat e Zadrimës dhe Kallmetit. Ajo përbën larminë më të madhe të kostumografisë ku, veshja Kallmetore dhe ajo e Pllanës janë unike në Shqipëri. Ato ruajnë dhe prezantojnë secila veçorinë që ka. Mjaft i zhvilluar është dhe artizanati ndërtimor i cili lidhet me prodhimin e tjegullave dhe pllakave prej balte apo punimet e poçerisë, kjo më së shumti në zonat e Zadrimës. Një numër i madh amforash janë zbuluar në Lezhë, disa prej të cilave kanë edhe vula në formë simbolesh apo monogramesh.
Familjet e zonës së Zadrimës dhe të rrethit të Lezhës kanë një traditë të gjatë në prodhimin e produkteve të artizanatit dhe dekorimit për përdorim vetjak. Në Lezhë është ngritur një qendër artizanati e cila po tërheq vëmendjen e grave dhe vajzave që kanë pasion punimin me dorë të sendeve tradicionale. Qendra e Artizanatit – “Artistike Zadrima” është një laborator ku realizohen punime artizanale tekstili, rroba të ndryshme si dhe aksesorë tradicionalë.
Kjo ka bërë që Lezha të prezantohet denjësisht në shumë panaire kombetare dhe ndërkombëtare. Punimet e artizanëve të Lezhës janë vlerësuar me çmime në vende të ndryshme të botës. Interesi i të huajve për ti parë dhe poseduar ato ka qenë i madh. Disa punime janë përzgjedhur edhe nga Vatikani për veshjet e klerikëve.
Nëse planifikoni të vizitoni Lezhën dhe doni të blini diçka autentike shqiptare, mos harroni të përfshini në itinerarin tuaj një ndalesë në këtë laborator të bukur.