Departamenti i Gjuhëve të Huaja, si pjesë e Institutit IETT, me vizionin e vendosjes së standardeve bashkëkohore në mësimdhënien e gjuhëve të huaja në mënyrë profesionale, zhvilloi trajnimin e dytë profesional për mësuesit, në gjuhën angleze, me temë: Strategjitë efektive në përdorimin e humorit gjatë mësimdhënies. Leksioni i hapur, këtë herë i transmetuar Live në platformën Zoom, shënoi një numër të konsiderueshëm shikueshmërie. Trajnimi nisi me një prezantim të shkurtër të temës, me qëllim promovimin e metodave dhe stileve perëndimore inovative në fushën e mësimdhënies, për një mjedis sa më pozitiv dhe efektiv për studentët dhe mësuesit.

Koordinatorja e departamentit dhe njëkohësisht mësuesja e gjuhës angleze, znj. Ina Pashollari, hartoi dhe organizoi leksionin trajnues, duke u përpjekur të përfshijë informacion të vlefshëm, ndihmues dhe të larmishëm, duke prekur nëntema si: përkufizimi dhe llojet e humorit, pse e qeshura e bën më efektive menaxhimin e klasës, udhëzime për përdorimin dhe integrimin e humorit në klasë, dhe duke e përmbyllur me një sesion të veçantë për pyetje nga audienca.
Ky trajnim pati si synim të ndihmojë mësuesit të njohin dhe kuptojnë faktin që humori mund të nxisë procesin e të mësuarit, të rrisë interesin për një temë të caktuar, të ulë tensionin dhe ankthin në klasë dhe të përmirësojë raportin student-mësues, duke promovuar një mjedis pozitiv të të mësuarit.