Prishtinë, 13.06.2019
Akademia Diplomatike – Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit në Shqipëri, organizuan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës – Prishtinë, ceremoninë e promovimit të librit “Rendi global dhe shteti komb”, të akademikut dhe politikanit Rexhep Meidani. Në promovim ishin të pranishëm Zv. Kryeministri i Kosovës, Z. Enver Hoxhaj; Akademik Rexhep Qosja; Kryetari i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Prof. Dr. Beqir Ismaili; Ambasador Sabri Kiçmari; Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi; Drejtori i IETT, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj; Ambasador Gazmend Pula, Zv. Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Z. Çerkin Dukolli; Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema etj. Duke marrë shkas edhe nga eksperienca e tij e vyer si President i Republikës së Shqipërisë, gjatë periudhës 1997-2002, akademiku Meidani e pa të udhës realizimin e këtij studimi voluminoz, i cili nxjerr në pah një marrëdhënie tejet të ndërlikuar, mes fenomenit të Globalizmit dhe shtetit komb. “Rendi global dhe shteti komb” është bazuar në veprën e tij të mëhershme “Kurthet e shtetit-komb”, të botuar në vitin 2005, por tashmë kjo vepër vjen e plotësuar edhe me një çështje tjetër madhore: Globalizmin, si edhe me një sërë temash, problemesh, dukurish, pajtimesh e mospajtimesh rreth tyre.
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Prof. Dr. Beqir Ismaili. Më pas e mori fjalën Zv. Kryeministri i Kosovës, Z. Enver Hoxhaj, i cili vlerësoi mesazhet e përcjella në libër, përmes trajtimit të një çështjeje shumë të diskutueshme sot në botë.
Duke e konsideruar Globalizmin si një kërcënim jo vetëm për kulturën tonë kombëtare, por edhe për gjithë njerëzimin, Akademiku Rexhep Qosja në recensën e tij thekoi se vepra e Rexhep Meidanit “Rendi Global dhe Shteti-Komb”, bën pjesë ndër ato veprat e mëdha, kapitale, që shkruhen e botohen shumë rrallë, por që qenies kombëtare dhe identitetit historik të kombit i sjellin pasuri të madhe me ide, mendime, me nxitje e frymëzime, me të dhëna, me energji për të tashmen dhe për historinë. Ajo çka e bën të madhe këtë vepër, është kultura e gjerë dhe universale e autorit, përvoja e pasur krijuese e tij. Gjithashtu, të dhënat e shumta politike, shoqërore, kulturore e historike, me shtrirje të madhe gjeografike dhe kohore, në bazë të të cilave autori shpjegon marrëdhëniet e globalizmit dhe shtetit-komb.
Ndërsa Ambasador Sabri Kiçmari, në një analizë kritike të veprës, theksoi se libri i presidentit Meidani nuk është një libër tipik ish-presidentësh. Ish-presidentët, zakonisht, shkruajnë kujtime dhe rrallë merren me analiza teorike. Por në këtë libër ne gjejmë një mendim të thelluar analitik, filozofik e teorik, shumë mirë të strukturuar dhe shumë përmbajtësor. Koncepti i presidentit Meidani është i afërt me shpjegimet e Immanuel Kantit, i cili, duke shpjeguar nocionin komb, merr parasysh dy tipare kryesore – bashkësinë qytetare të njerëzve dhe prejardhjen e tyre; dhe ato të sociologut gjerman Max Weber, sipas të cilit “ideja e kombit përfshin bashkësinë me prejardhje dhe ngjashmëri qenësore të përbashkët”. Njësoj si Weberi, edhe profesor Meidani nuk e barazon kombin me shtetin dhe bashkësinë politike.
Drejtori i IETT, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, e vlerësoi si një vepër akademike, e cila shënon një arritje shkencore me peshë në studimet shqiptare mbi zhvillimet globale. Sipas tij, Profesor Meidani në këtë libër arrin të orientojë saktë argumentin politik, filozofik dhe social për kombin dhe shtetin, për fenë dhe shekullarizimin, nacionalizmin etj. Autori jep një trajtim kaq të hollësishëm të një tematike sa historike, po aq edhe aktuale. Profesor Zekaj nuk la pa përmendur edhe vlerësimet maksimale për librin “Rendi global dhe shteti komb”, në edicionin e 11-të të Çmimit të AIITC në Tiranë, ku u nderua me një çmim të posaçëm, me motivacionin: “Vepër e rëndësishme filozofike-politike që trajton me thellësi dhe origjinalitet disa koncepte bazë të jetës shtetërore e kombëtare, të vështruara edhe nga përvoja historike dhe nga perspektiva e zhvillimit të shoqërisë shqiptare”.
Një fjalë përshëndetëse gjatë promovimit e mbajti edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Z. Skënder Gjinushi. Ndërsa vetë autori falënderoi shtëpinë botuese “Milenium i ri”, IETT që mbështeti financiarisht botimin e librit, organizatorët e këtij promovimi dhe të gjithë pjesëmarrësit. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për vlerësimet e bëra ndaj kësaj vepre në Prishtinë, që i kaloi pritshmëritë e tij dhe u mirëprit nga një rang i gjerë studiuesish dhe lexuesish.