Më datë 12 shtator 2019, u mbajt mbledhja e radhës e Bordit Drejtues të Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, për të analizuar gjashtëmujorin e parë të vitit 2019. Prezentë në mbledhje ishin Kryetari i Bordit Drejtues të IETT, Prof. Xhevahir Lleshi; Drejtor Ekzekutiv i IETT dhe anëtar Bordi, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj; Anëtarët e Bordit, Prof. Dr. Valter Shtylla; Amb. Kujtim Morina; z. Buron Kaceli si edhe Koordinatorja e IETT, znj. Anisa Hykaj.
Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kryetari i Bordit, Prof. Xhevahir Lleshi, i cili i njohu anëtarët e pranishëm me rendin e kësaj mbledhjeje të miratuar paraprakisht.
Më pas, drejtori ekzekutiv, njëkohësisht edhe anëtar bordi në IETT, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, bëri një raport të shkurtër të ecurisë së Institutit në 6-të mujorin e parë të vitit 2019. Ai vuri në pah të gjithë arritjet, por edhe problematikat që ka hasur Instituti në këto muaj.
Në vazhdim, Koordinatorja e IETT i paraqiti Bordit Drejtues propozimet e Departamenteve të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, si edhe planin e punës së secilit prej tyre.
Themelimi i revistës së Institutit ishte një nga pikat që u diskutua nga anëtarët e Bordit, të përbërë nga emra të njohur të shkencës dhe kulturës shqiptare. Ata u shprehën entuziastë për krijimin e kësaj reviste, e cila do të përçojë në të gjithë botën kulturën dhe trashëgiminë tonë kombëtare. Në lidhje me të, u dhanë disa propozime dhe sugjerime të cilat do të konkretizohen së shpejti.
Në mbledhje gjithashtu u morën vendime edhe për strukturën administrative të Institutit, të cilat u miratuan unanimisht nga të gjithë anëtarët pjesëmarrës.