Bahrain, 3-6 shkurt 2020
“Ekonomia inspiruese në kohë krizash” është konferenca e parë shkencore ndërkombëtare e organizuar nga “Inspiration Economy Society” (IES) në bashkëpunim me “International Inspiration Economy Project” (IIEP), e mbajtur në datat 3-6 shkurt 2020, në Bahrain.
Kjo konferencë u përqëndrua në gjetjen e mënyrave për të frymëzuar ekonominë tonë të përbashkët si dhe për të krijuar një ndikim të dallueshëm përmes kuptimit të mëtejshëm të mundësive të krijuara si pasojë e problemeve të shoqatave dhe bashkësive. Një nga qëllimet kryesore të saj ishte shkëmbimi dhe zhvillimi i njohurive që sjellin zgjidhje të bazuara në një ekonomi të qëndrueshme , pavarësisht krizave ose sfidave me të cilat përballemi.
Dimensionet dhe temat e konferencës si:
-Iniciativat e zhvillimit dhe krijimit të ekonomisë ndikuese,
-Qasjet për të zbuluar mundësitë e krijimit të ekonomisë ndikuese në kohërat e sfidave,
-Shqyrtimi i çështjeve socio-ekonomike dhe krijimit të ekonomisë ndikuese,
-Krijimi i ekonomisë ndikuese përmes gjeneratave të ndryshme, janë zhvilluar qëllimisht për të marrë parasysh të gjitha variablat globale, shoqërore dhe teknike.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte dhe Drejtori Ekzekutiv i IETT Prof. Ass. Dr Ramiz Zekaj, i cili u paraqit me temën: “Roli i filantropisë dhe punës vullnetare në sjelljen e ndryshimit dhe ndikimi në shoqërinë shqiptare” e cila përmbante një përmbledhje të historisë së bamirësisë në Shqipëri nga koha e vakëfeve osmane deri tek institucionalizimi i saj në kohën e Mbretit Zog, ndalimi i bamirësisë në Komunizëm dhe detyrimi i vullnetarizmit me dhunë, ringritja e bamirësisë dhe punës vullnetare me nxitje nga jashtë permes fondacioneve e shoqatave humanitare, ndërgjegjësimi i shtetit për rëndësinë e vullnetarizmit tek të rinjtë në qeveritë e periudhës 2005 e deri sot nëpërmjet hartimit të strategjisë për rininë dhe miratimit të ligjit për vullnetarizmin.
Prof. Zekaj drejtoi edhe sesionin e katërtë të konferencës ku u trajtuan tema me interes si:
– Socio-ekonomia dhe impakti i saj,
– Analiza e krizave dhe trajtimi i tyre legjislativ,
– Transformimi që i nevojitet komuniteteve të Azisë së Mesme në fushën e ekonomisë ndikuese. “Inspiration Economy Scientific Conference” (IESC 2020) vuri në pah mangësitë shoqërore në konceptin dhe metodologjitë e krijimit të ndikimit dhe ekonomisë ndikuese veçanërisht në kohën e rritjes së polarizimeve në botë. Gjithashtu, kjo konferencë i erdhi në ndihmë të pranishmëve në ndjekjen e qasjeve të reja drejt trajtimit të efekteve të dëmshme të ekonomisë kapitaliste dhe globalizmit, i cili ka distancuar të gjitha grupet shoqërore nga kuptimet e cilësisë së jetës reale.