Xhamia e Nazireshës është ndër ndërtesat më të rëndësishme osmane të ndërtuara në Elbasan.
Ndodhet në veri të hekurudhës Durrës-Korçë dhe është ndërtuar në shekullin XVI në mënyrë që qyteti të kishte një qendër të re fetare. E sipas mendimit të Vexhi Buharasë, xhamia në fjalë është ndërtuar shumë kohë me parë. Ky mendim lidhet me mbishkrimet të cilat mbajnë datën 1007 dhe 1008. Ndërsa sa i përket identitetit të saj, themi se kjo xhami u ndërtua nga administratori i qytetit, i cili ia bëri dhuratë bashkëshortes duke i vënë emrin e saj. Në të njëjtën kohë është ndërtuar edhe xhamia e Ballijes, i cili ishte vëllai i Nazireshës. Struktura dhe përmasat e saj e klasifikojnë Xhaminë e Nazireshës në mesin e xhamive të vogla. Ajo ka një kub prej 10.70m3, që përbën një hapësirë të brendshme 8.70m2. Është e ndërtuar me blloqe drejtkëndore të prera dhe të vendosura me kujdes. Blloqet janë të modeluara me dy shtresa tulle të vendosura horizontalisht dhe dy të tjera të vendosura vertikalisht.
Dritaret e objektit janë të veçanta e me formë drejtkëndore, me harqe në pjesën e sipërme dhe me skaje të dekoruara. Pjesa e harkuar mbi kornizat e dritarëve është e mbushur me suva. Xhamia ruan formën origjinale të sallës së faljes dhe është e shtruar me pllaka poligonale. Salla ka formë kuadratike dhe ndriçohet nga 5 dritare të vendosura në tri radhë. Pjesa më e realizuar e kësaj xhamie është minarja. Ajo është e vendosur mbi një bazë katrore. Baza është e lartë sa zona e dytë e ditarëve kurse pjesa tjetër e saj është e hollë dhe e ndërtuar me blloqe poroze të gurit të smërçit që lidhen me tre rreshta tullash të kuqe e të holla. Xhamia e Nazireshës është përfaqësuese e monumenteve fetar tipik të arkitekturës mesjetare shqiptare. Ajo është objekt mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë sonë dhe shpallur monument kulture. Tanimë xhamia ruan formën e hershme ndonëse e restauruar.