Sikurse shumica e ndërtesave të qytetit të gurtë, edhe kjo xhami është e vendosur në një terren të pjerrët në qendër të qytetit, në anën perëndimore të pazarit.
Te “Udhëpërshkrimet” e njohura të kronikanit Evlia Çelebi, i cili kaloi nëpër Gjirokastër në vitin 1672, kjo xhami është e emërtuar ndryshe, si Xhamia Memi Beut.
Kjo ndërtesë daton nga 1754-55 (1168 h), mbështetur në një mbishkrim që gjendet në objekt. Në vitin 1967, ajo është mbyllur për adhurim nga regjimi i kohës dhe është përdorur si depo dhe fushë trajnimi për akrobatët. Pas rrëzimit të regjimit, në vitin 1991 xhamia është rihapur sërish për adhurim.

Do thënë se një karakteristikë e veçantë e saj është se ajo është e vetmja xhami e paprekur, e cila u ka mbijetuar shkatërrimeve nga koha e komunizmit. Në këtë gjendje ishte deri në vitin 2018 ku u restaurua dhe mori një pamje shumë të bukur. Xhamia vizitohet në çdo stinë të vitit nga turistët e interesuar për qytetin, ku kjo e fundit bie në sy menjëherë sapo kalon në zonën muzeale të Gjirokastrës.

Struktura e godinës

Rëndom, sikurse objektet fetare islame të asaj periudhe, edhe Xhamia e Pazarit përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja. Te salla e lutjeve të çojnë shkallë të gurta, me dy rampa ngjitjeje, që mbështeten në një sistem qemerësh.

Salla

Salla ka plan katror me përmasa të brendësisë 8.85 x 8.95 dhe mbulohet me kupolë mbi trompa në qoshet. E për dallim nga xhamitë e tjera, vëllimi kubik nuk ka lartësi të madhe për të mos rritur peshat që shkarkohen mbi nënstrukturat. Ajo ndriçohet nga dritaret që janë të vendosura në dy radhë: të poshtmet në formë drejtkëndore kurse të sipërmet, të mbuluara me hark prej gurësh.

Minarja

Minarja ka një trup jo fort të gjatë, por me prerje shumkëndore. Edhe bazamenti i saj është shumëkëndor, ndërtuar me gurë të përpunuar mirë.

Portiku

Portiku shtrihet në dy krahë: në veri dhe në lindje. Dikur mbi to kishte harqe rrethore, nga të cilët sot ruhet vetëm ai nga perëndimi. Këtë formë mund ta shohim edhe në xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, madje mendohet se kjo zgjidhje është çuar në kryeqytet.