Interpret Europe çeli siparin e konferencës ndërkombëtare me temë: “Fostering Heritage Communities” më 8 Maj 2020. Kjo është hera e parë, që një event i tillë katër-ditor mbahet online nga IE për më shumë se 150 pjesëmarrës nga 35 vende.

Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizimit, IETT si anëtar i Interpret Europe prej vitit 2019, ndoqi me vëmendje të gjitha sesionet e ditës së parë. Konferenca u hap me një fjalim përshëndetës nga Z. Thorsten Ludwig, drejtor organizativ i IE që nga viti 2015 dhe drejtoresha e zyrës së UNESCO-s në Bruksel, znj. Louise Haxthausen.

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore e natyrore nga komunitetet janë themeli i Konventës Faro të Këshillit të Evropës. Referimi kryesor iu kushtua pikërisht kësaj konvente paraqitur me profesionalizëm nga Znj. Kathrin Merkle, Francë; drejtuese e sektorit të trashëgimisë kulturore në Këshillin e Europës si dhe sekretare e Komitetit Drejtues për Kulturë, Trashëgimi dhe Peizazh.Pjesë e panelit ishin gjithashtu emra të njohur nga fusha e turizmit, trashëgimisë natyrore e kulturore si: Mark Wallis, Valya Stergioti, Michael Glen, Vida Ungar, Elena Weber etj.

Fjalimet frymëzuese, workshop-et, prezantimet, diskutimet në panel ishin disa nga elementet e konferencës së sotme, duke na dhënë një ide të qartë se si interpretimi mund të rigjallërojë komunitetet e trashëgimisë kulturore.

Në ditën e dytë të konferencës edhe Shqipëria do të ketë një prezantim nga pedagogia e Departamentit të Turizmit pranë Universitetit të Durrësit, Dr. Mirela Tase, rreth sfidave të Eko-turizmit dhe perceptimit të tij nga popullata në Shqipëri.