UNWTO (United Nations World Tourism Organisation) është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara me fokus promovimin, zhvillimin e qëndrueshëm, sjelljen e risive, investimeve dhe transformimeve dixhitale të turizmit si një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë botërore.

Përpjekjet për një rikthim të sigurt është sfida që po kalon turizmi në mbarë botën. Nisur nga situata e krijuar nga COVID -19 dhe ndikimeve që ka patur te njerëzit, bizneset dhe vendet në të gjithë botën, UNWTO në bashkëpunim me OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), organizuan një webinar rreth mënyrave dhe zgjidhjeve të mundshme për ringritjen dhe lulëzimin e turizmit më 7 Maj 2020.

Nga thirrja e bërë katër javë më përpara, për sjelljen e ideve inovative që do të shërbejnë për kthimin e turizmit të sigurt, morën pjesë 1183 projekte nga 110 vende, të cilat u vlerësuan nga një Komitet Ekspertësh. Prezantimet më të mira dhe të përzgjedhura u paraqitën në këtë webinar duke na ofruar mënyra lehtësuese për turizmin. Finalistët sollën risi dhe metoda konkrete që do të bëjnë të mundur rikthimin e besimit te njerëzit, shpresë për prosperitet dhe rifillim duke ofruar siguri gjatë udhëtimeve.