Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT) dhe “Albanian University” (AU), nënshkruan një “Marrëveshje Bashkëpunimi”, me qëllim arritjen e rrugëve të suksesit në sektorë të ndryshëm, në shërbim të palëve të interesuara, bashkëpunëtorëve, studentëve apo stafeve respektive.
Përfaqësues të dy institucioneve ishin Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj, Drejtor Ekzekutiv i IETT dhe Prof. Dr. Kaliopi Naska, Rektore e AU të cilët në kuadër të diskutimeve shqyrtuan mundësitë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje mbi pikat e mëposhtme:
1. Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese; shkëmbimit kulturor, aktiviteteve në fushën e edukimit ku përfshirja e studentëve të jetë parësore;
2. Sigurimi i mundësive të praktikës për studentët e AU në IETT dhe kompani e sipërmarrje partnere të kësaj të fundit;
3. Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e botime në fusha me interes të dyanshëm);
4. Shkëmbime eksperiencash përmes mbajtjes së leksioneve të hapura prej të ftuarve nga të dy institucionet;
5. Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e edukimit, kërkimit shkencor, trajnimeve dhe tryezave të rrumbullakta;

Në fund të takimit, palët ranë dakord të ndërveprojnë në çdo kohë në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre dhe për të cilat shfaqin interes të përbashkët.