Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit mori pjesë në takimin online të International Institute of Inspiration Economy Project, IIEP me temë “Ekonomia Inspiruese dhe OJF-të”
Sesioni u udhëhoq nga Dr. Khawla Al-Muhannadi dhe Dr. Muhamed Buheji, Themelues i IIEP. Ligjërata përmbajti një prezantim të detajuar nga Dr. Buheji, fillimisht mbi rolin dhe objektivat e IIEP, më pas mbi Ri-dimensionimin e rolit të OJF-ve bazuar në Ekonominë Inspiruese. Ai e nisi shpjegimin me një listim të epokave të evoluimit të Ekonomisë Inspiruese për të kaluar në të kuptuarit e skenarëve të ndryshëm mbi problemet socio-ekonomike.
Roli i OJF-ve në krijimin e Modeleve Inspiruese ishte tema që u prit me interes nga pjesëmarrësit, pasi u mor si shembull roli i IIEP në aspektin e pasurimit të një komuniteti. Përgjatë diskutimeve u përmendën dhe aktivitetet kryesore që duhet të zbatohen për evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve në komunitet.
Takimi u përmbyll me pyetje nga pjesëmarrësit dhe ndarjen e eksperiencave të tyre mbi vështirësitë që hasin për implementimin e projekteve në të mirë të komunitetit.