Muzeu Ikonografik “Onufri“ ndodhet në qendër të lagjes së banuar në kalanë e Beratit. Ai është përshtatur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Shën Marisë“. Arkitektura ku është vendosur Muzeu Ikonografik Onufri është Kisha më e madhe e lagjes Kala. Ajo ka qenë Katedralja e qytetit të Beratit dhe së bashku me ndërtesat e Mitropolisë formonte një kompleks arkitektonik.

Nga ky kompleks ka mbetur vetëm kisha, e cila është ndërtuar në vitin 1797, por që mendohet se është rindërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër. Nga të dhënat historike, dimë se Katedralja ka funksionuar si e tillë deri në vitin 1967, viti i reformës ateiste, kur ambientet e komuniteteve fetare i kaluan në administrim shtetit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shek.  XIV deri në fillim të shek. XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe piktorët Çetiri (Gjergji, Johani, Nikolla, Naumi dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptare ndër shekuj.