Pinakoteka ishte institucioni i parë i arteve figurative në Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta në 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë.
Ndërtesa e Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila ndodhet sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u inaugurua më 29 nëntor të vitit 1974. Aty gjenden disa salla ekspozimi si: ajo e Artit të Rilindjes, e Artit Bizantin, salla e Grafikës dhe ajo e punimeve të bëra pas viteve 50’. Në Galerinë e Arteve ruhen rreth 4100 vepra arti të autorëve shqiptare dhe të huaj, të cilat përfshijnë një periudhë kohore që fillon nga shekulli XIII e vazhdon deri në ditët e sotme.
Aty ruhet edhe busti i parë shqiptar, i cili është busti i Skëndërbeut, i punuar në vitin 1908 nga Murat Toptani. Që prej vitit 1999 është hapur për publikun një bibliotekë e Galerisë, ku mund të shfrytëzohen albume, revista, kritikë dhe literaturë e ndryshme mbi artet figurative. Sot në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen rreth 4000 vepra.
Galeria Kombëtare e Arteve është institucioni më i rëndësishëm i arteve pamore në vendin tonë. Këtu ruhet koleksioni Kombëtar i arteve pamore, duke filluar nga gjysma dytë e shek. XIX e deri në ditët tona. Ky koleksion përbëhet nga vepra të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë, një koleksion ikonash që i përket shek. XIII – XIX, koleksioni më i madh i pikturës dhe skulpturës së periudhës së Realizmit Socialist, pavijoni i artistëve të huaj, si dhe një koleksion i artit bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në katin e parë dhe të dytë ekspozohen vepra nga fondi kombëtar, të ndara sipas periudhave historike, ose në bazë të koncepteve artistike që synojnë rivlerësimin në kohë të vlerave që bart ky institucion, për t’ia paraqitur ato publikut në mënyrë cilësore. Në katin e parë organizohen gjithashtu ekspozita të përkohshme, kryesisht për artin bashkëkohor.