Apollonia është një qytet antik në Shqipëri, ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera antike.  Është themeluar rreth fillimit të shek. të IV p.e.s., ndërsa rrënojat e Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek. XIX. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa rrënoja të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve.

Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apollonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apollonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Vjosa.

Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot. Territori i madh i mbuluar me monumente, panoramat dhe peizazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik nga njëra anë si dhe pozita e favorshme gjeografike pranë qyteteve të mëdha dhe plazheve të jugut nga ana tjetër e bëjnë Parkun Arkeologjik të Apollonisë lehtësisht të arritshëm për vizitorin, si edhe një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor të Shqipërisë. Me interes të madh për vizitorët në Apolloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, Muri rrethues, Portiku, Vila me impluvium, Vila romake me mozaikë, Muzeu arkeologjik dhe Kisha e Shën Mërisë.

Në 1925 arkeologu francez Leon Rei zbuloi grupin e ndërtesave publike që përbëjnë Qendrën Monumentale të Apollonisë. Të harruara nga koha, por jo të shkatërruara prej saj, rrënojat dhe monumentet e qytetit, që në kulmin e lulëzimit të tij numëronte plot 60 mijë banorë e për të cilin shkruante dhe Ciceroni, janë një nga atraksionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri. Qendra Monumentale përfshin Buleterionin, një nga objektet më imponuese të Agora-s, që daton në shekullin e II-të para Krishtit, e që sot është një nga emblemat e antikitetit të Shqipërisë. Kjo ndërtesë shërbente si seli e Këshillit të Qytetit, dhe njihet si ‘Monumenti i Agonotetëve’, në nder të dy vëllezërve që përmenden në mbishkrimin e arkitraut. Ky monument, së bashku me rrënojat e Harkut të Triumfit, Bibliotekës, Sanktuarit apo shkallarëve të Odeonit që gjenden përreth, të katapultojnë menjëherë në një tjetër epokë, të cilën sapo ke nisur ta eksplorosh.

Një sërë rrënojash e monumentesh të rëndësishme si Shëtitorja B me kolonat dorike të shek. IV para Krishtit, çezma madhështore e Nimfeut, që është dhe monumenti më i madh i ruajtur i Parkut, Porta e Temenosit me Obeliskun e plot objekte e rrënoja të tjera.

Brenda mureve te parkut arkeologjik gjendet dhe Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë, të cilat, së bashku me Muzeun Arkeologjik që ndodhet brenda manastirit, tregojnë më shumë për historikun dhe arkitekturën e qytetit.