Mali i Polisit, mali plot ngjyra dhe pamje magjepsëse shtrihet nga gryka e Shkumbinit, në veri deri në Sopot e Shpellë në jug. Dallohet për relievin tepër kompleks, ku mbizotërojnë lartësitë mbi 1,000m. Në pamje të përgjithshme ka formën e një pllake të madhe gëlqerore të valëzuar dhe tepër të copëtuar, të rrethuar nga të gjitha anët prej shpatesh të thepisura. Bimësia e Malit të Polisit, për shkak të zhvillimit të karstit, në kreshtën e tij është e varfër, dhe në zonat me lagështi përbëhet kryesisht edhe nga Ahishtet, që veshin shpatet. Kreshta është e veshur me kullota të mira subalpine dhe alpine, liqene akullnajore, kanione, ujëvara, guva, maja etj.
Sipërfaqja e zonës së mbrojtur është shumë e vogël, kryesisht me pyje Ahu e pishnaja. Aty takohen edhe bimë endemike dhe subendemike, si Ylli i alpeve. Zona përbën një bërthamë dhe biokorridor shumë të rëndësishëm për gjitarët e mëdhenj, si: Ariu (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus), Rrëqebulli (Lynx lynx), Dhia e egër (Rupicapra rupicapra), Kaprolli (Capreolus capreolus) etj. Mali i Polisit gjithashtu konsiderohet si zonë e rrugëkalimit të shpendëve shtegtarë rrëmbyes.