Artizanati për qytetin e Beratit është një vlerë e trashëguar, e cila mirëmbahet edhe sot në këtë qytet në disa gjini, si: gdhendje në dru, qendistari, punime në argjend dhe në metale të tjera, punime në kashtë, gdhendje në pllaka guri, punime dekorative me gur. Artizanati dhe zejtaria janë të përqendruar si aktivitete në familje, kryesisht në punimet e drurit, gurit, metalit, qëndistari, qilima, etj., ku sigurohen të ardhurat për të jetuar. Sot mjeshtërit e përpunimit të drurit janë të rralle në qytet dhe kryesisht ato e ushtrojnë këtë aktivitet për të siguruar të ardhura ekonomike, por pa lënë mënjane edhe pasionin e tyre. Berati traditën e tij e ka të lidhur me gurin dhe drurin si dy elementë të rëndësishëm në banesa e objekte kulti, mjeshtëri këto nga më të lashtat, për të vijuar më pas dhe me zejet, ndaj dhe mund të thuhet pa frikë se artizanati ka po aq vlera sa dhe qyteti.
Drugdhendja
Artizanët e produkteve prej druri prodhojnë një shumëllojshmëri produktesh si: korniza prej druri, ndriçuese prej druri, zbukurime për shtëpinë, mbajtëse lapsash, mbajtëse frutash, mbajtëse bizhuterish, etj. Materialet kryesore që përdorin artizanët që përpunojnë drurin janë: dru, vegla prej hekuri për gdhendje, gozhda, ngjitës, silikon, shkopinj druri.
Artizanët në Berat
Njëri prej drugdhendësve më të njohur të Beratit quhet Ilirjan Doko, dhe e ushtron këtë art që prej 30 vitesh. Ai ka kryer shkollim profesional në degën e përpunimit të drurit. Duke patur pasion dhe duke ndjekur nga afër edhe mjeshtërit e kohës ai iu përkushtua këtij profesioni në gdhendjen e drurit dhe sidomos në ruajtjen e traditave të të parëve tanë.