Krahina e Mirditës, sikurse dhe çdo trevë tjetër e Shqipërisë e ka pasur të zhvilluar artizanatin, pra punimet e dorës, zejtarinë.
Punimet e dorës, ato tradicionale kanë lindur si nevojë për t’u pajisur me objekte, veshje apo çdo gjë tjetër të nevojshme gjatë aktivitetit jetësor të njeriut. Në Mirditë ekzistonte edhe tradita e thurjes së qilimave në tezgjah e cila aktualisht ka humbur.
Tradita e podhimit të veshjeve popullore
Tradita e prodhimit të veshjeve popullore është pasuri kulturore e çdo vendi. Këto veshje shpesh ndërthurin motive tradicionale dhe teknika artizanale të punimit me dorë. Ato janë elemente që shprehin identitetin kulturor dhe trashëgiminë e një populli.
Në zonën e Mirditës ekziston tradita e prodhimit të veshjeve tradicionale, kryesisht me qëndisje, të cilat mbartin shumë dekoracione me ngjyra të ndryshme, por kryeson ngjyra e kuqe dhe e zezë. Në zonën e Mirditës, në traditën e riprodhimit të veshjeve tradicionale, janë 2 zonja të cilat e ushtrojnë këtë zanat në qytetin e Rrëshenit.
Artizanët në Mirditë
Mrik Ndreca, mjeshtre e veshjeve mirditore. Kjo mjeshtre 72 vjeçare rrëfen jetën e saj mes veshjeve popullore, të cilat për të ishin punë dhe zanat që e mësoi nga babai i saj qysh se ishte fëmijë. Mrika thotë se ka veshur të gjithë artistët e Ansamblit “Mirdita”, të cilët ishin pjesëmarrës në Festivalet Folklorike në Gjirokastër.
Maria Doda, gruaja që bëri të mundur hapjen e një punishteje modeste me bazë punën e dorës për 15 mjeshtre që punojnë veshje të trevës së Mirditës për gra, burra dhe fëmijë, si një institucion i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore ndër shekuj.