Në qytetin e Tiranës vazhdon prodhimtaria e hershme e qelesheve, llullave, punimeve në gur-alabastër e materialeve të çmuara, si në argjend dhe bakër.
Biznesi më i suksesshëm sot realizohet nga mjeshtrit e prodhimit të kostumeve popullore shqiptare për të rritur dhe fëmijë. Ku në radhë të parë vinë punimet e prodhimeve të leshit si: prodhimet e çantave, rrugicave, bandave, si dhe punimet e kutive prej ari e argjendi që përdorin gratë e vajzat për mbajtjen e stolive, unazave, varëseve dhe aksesorëve të tjerë.
Artizanati i prodhimit te qelesheve .
Artizanati i prodhimit të qelesheve është artizanati më i spikatur në Tiranë.
Qeleshet, edhe pse jo shumë popullore si dikur, janë një nga simbolet e kulturës shqiptare. Prodhimi me dorë i tyre është një art që disa familje e kanë trashëguar ndër breza, pavarësisht modernizimit.
Artizanati i llullave
Në Tiranë kemi edhe punishte që dallohen për prodhimin e llullave me dru ulliri.
Llullat prej balte të pjekur janë punuar nga poçarët për shumë kohë. Në Farkë të Tiranës, poçarë të shumtë janë marr me punimin e tyre deri në shek. XVIII-XIX. Krahas tyre janë punuar edhe llulla e cigarishte prej druri, sidomos në fshat.
Një nga sekretet e prodhimit të pipave ose llullave është materiali, por edhe përgatitja e thikave të gdhendjes. Për punimin e tyre, druri duhet të jetë sa më i fortë dhe me strukturë të ngjeshur, ndaj zakonisht përdoret druri i shqopës, panjës. Plepi është i papërdorshëm, po ashtu edhe ahu, shkoza e mareja. Kjo, pasi struktura e tyre shformohet dhe nuk të krijon mundësinë të krijosh gdhendje të bukura.
I gjithë procesi i realizimit të një pipe është manual, që nga tornimi, hapja e vrimave, tharja, lyerja me bojëra natyrale e deri te gdhendja. Objektet e prodhuara për treg, kryesisht mbajnë sipër markën “Albania”, por mund të realizohen edhe pipa të personalizuara me emra, iniciale, emra shtetesh e bojëra sipas dëshirës.
Artizanët në Tiranë
Isuf Skënderi i takon brezit të tretë të mjeshtërve të gdhendjes së pipave e llullave, e ndoshta i vetmi në Shqipëri, që punon me të njëjtat mjete, ashtu si edhe babai e gjyshi i tij të cilët dikur kishin një dyqan mjaft të njohur në Pazarin e vjetër të Tiranës.