Berati me arkitekturën e veçantë të tij, ka bërë që të pozicionohet si një nga vendet e Trashëgimisë Botërore UNESCO në Shqipëri. I ndarë në dy lagje historike, Mangalemin dhe Goricën, nga lumi Osum, qyteti bashkohet përmes urës së gurtë të Goricës. Ky qytet, një herë e një kohë i quajtur Antipatrea, është i rrethuar nga Tomori dhe Shpiragu, dy nga malet më mitike të Shqipërisë.
Trashëgimia kulturore e qytetit të Beratit është unike, mjaft e pasur dhe e larmishme. Trashëgimia e ndërtuar, e mishëruar më së miri në lagjet karakteristike, Mangalem, Goricë, dhe Kala, është një aset kulturor, arkitekturor, historik, social-ekonomik dhe natyror mjaft i rëndësishëm. Ajo luan një rol të rëndësishëm edhe në kontekstin urban të qyteti duke e diversifikuar dhe ndihmuar në sistemin e tij. Trashëgimia e ndërtuar përbëhet prej shtëpive monument në qendrën historike, kisha, xhami, teqe, si dhe nga fortifikimet.
Shtëpitë popullore kanë një arkitekturë që i përket shekullit të XVIII-XIX. Ato vlerësohen të jenë rindërtuar në masë pas tërmetit të viti 1851. Elementë të spikatur në arkitekturën e tyre janë dritaret, erkerat, ndërtimi sipas strukturës së shkëmbit, kompozicioni dhe harmonia e vendosjes pranë njëra tjetrës. Monumentet e kultit zënë gjithashtu një vend të rëndësishëm në trashëgiminë tonë kulturore. Ato përbëhen kryesisht nga kishat, xhamitë dhe teqetë.
Berati zë vend të veçantë dhe në hartën e adhuruesve të natyrës. Ngjitje mali, çiklizëm, rafting apo kayaking janë vetëm disa nga aktivitetet në natyrë që mund të realizoni përreth këtij qyteti. Kalaja mesjetare e Beratit bashkë me Muzeun Kombëtar të Onufrit ofrojnë gjithashtu një udhëtim të rrallë. Për mos t’u harruar pa përmendur janë edhe Qendra Mesjetare në Berat e kuzhina e famshme e këtij qyteti!