Blez Paskal – Augustiniani jansenist

(Blais Pascal – 19 qershor 1623, Klermon Ferrand – 19 gusht 1662, Paris)

ESE 

400 vjetori i lindjes së mendimtarit të madh

Një nga emrat më të mëdhenj të kohërave është ai i Blez Paskal, i cili lindi më 1623, 400 vjet më parë. Paskali vdiq në moshën tridhjetenëntë vjeçare. Akoma fëmijë ai lexonte Euklidin për të kaluar kohën e lirë. Ende nuk kishte mbushur njëzet vjeç kur tashmë kishte marrë famë si një matematicien i madh. Por si pjesa më e madhe e fëmijëve me talent të jashtëzakonshëm edhe ai besoi më shumë se ç’duhej te forcat e tij, gjë që ia dëmtoi shëndetin. Rrallëherë, po fuqishëm, parandjenja na ndihmon t’i lidhim ngjarjet në një fraksion të kohës e të përcaktojmë vagullt, se ndoshta ky njeri është i pavdekshëm siç është edhe i madh! Por jo, nuk ndodhi kështu, sigurisht për fat të keq. Megjithatë ai njeri është ndër më të famshmit në botë, kurdoherë i pranishëm në duart dhe mendjet e njerëzve. Dhe kjo do të thotë shumë. Është diçka më tepër se të jesh gjallë. Sipas pohimeve të vetë atij, që nga përvjetori i tetëmbëdhjetë i lindjes, ai nuk u ndje kurrë, asnjë ditë të vetme me shëndet të mirë. Herë pas here Blez Paskali binte i paralizuar dhe lëvizte vetëm me ndihmën e patericave. Gjatë atyre periudhave këmbët e duart i kishte akull të ftohta.

Paskali i përkiste një familjeje të pasur funksionarësh. Kur ishte tridhjetenjë vjeç, atij i ndodhi një ngjarje që do t’i ndryshonte jetën. Në këtë kohë ai u tha lamtumirë shkencave për t’ju kushtuar fesë. Atëherë u bë bujë, flas për kohën kur sapo kish ardhur në moshën e këtij ndryshimi të madh. Që ditët e para atij i duhet të shpjegohej qartësisht, por, sidoqoftë, e mbajti frymën te të vërtetat e tij të pakundërshtueshme. Blezi kishte një motër, Zhaklinën, të cilën e donte shumë. Zhaklina nuk kënaqej vetëm me bukurinë e saj të veçantë, ajo kishte një dhunti tjetër, poezinë. Por brishtësia e saj nuk i rezistoi një goditjeje të vogël lije. Përpara pasqyrës, vajza falënderoi Zotin, mëshira e të cilit e detyroi të mbrohet…

Pak nga pak Zhaklina vendosi të tërhiqej nga bota dhe të “frekuentonte vetëm Zotin”. Më 1652 u bë murgeshë. Kështu ajo u zhduk pas portave të manastirit të Port-Ruajalit, në Paris. U ndje rehat dhe disi e privilegjuar, me veshje disi të veçanta, por si gjithnjë, disi e kruspullosur, madje edhe e pakrehur dhe e pakuruar.

Tre vjet më vonë Zhaklinën në Port-Ruajal e viziton Blezi. I vëllai i pohoi se po kalonte një krizë shpirtërore. Ai ishte lodhur nga bota dhe “gëzimet” e saj, mendimi se Zoti e kishte braktisur, i krijonte një brengë që e mbyste. Që atëherë, Zhaklina e përshpirtshme, priste nga dita në ditë zgjedhjen që do të bënte Paskali midis Zotit dhe Botës që e rrethonte. Do të ndodhte një gjë që do t’i bëhej fort e shtrenjtë, mendime të reja si të ishin një kostum i ri, ose si një këmishë e modës së fundit (të asaj kohe), lakmonte atë që i pëlqente më tepër: ngjyrën rozë. Çohej nga gjumi në pesë e gjysmë se në gjashtë, fillonte ritualin e fortë të mendimtarisë së thellë, që herë-herë e çmonte si një gjë të vjetër klasike, pa harruar kurrë që mendimet e tij galoponin mbi një kalë të stërmadh si përbindësh që, për çudi kundërmonte si asnjë qenie tjetër. Ndihej larg aroma e mendimeve të tij.

Kjo ndodhte gjer në prag të kthesës së stërmadhe, kthesë e jashtëzakonshme që nuk do të vononte. Pak kohë më pas, Blezi vjen përsëri për të zënë një qelë midis të vetmuarëve të Port-Ruajalit. Në fakt, manastiri që ndodhej në Shevrëz, jashtë Parisit, lejonte një farë pavarësie për burrat, “të vetmuarit” aty i kushtoheshin studimeve teologjike dhe edukimit të fëmijëve. Nga ana tjetër, zhvillonin një jetë intensive me ushtrime shpirtërore e privime fizike por pa u treguar qëllimet. Në ushtrimet e mosngrënies e të mundimeve fizike, Paskali ishte ndër më të zellshmit. Brenda vetes, përbindëshi i madh e i zi i mendimit, pothuaj në mes të situatës, bëhej befas i mahnitshëm, por që fitonte elegancë dhe një dritë aq të bukur saqë s’mund ta shihje rreth e rrotull në jetë. Dhe gjithçka atij i vinte me anë të parandjenjës. A është ai, apo jo?, pyesnin, sepse edhe fytyra, edhe trupi i ndryshonte në çastet e përfshirjes në mendim. E vuante gjithçka edhe fizikisht, shoqëruar doemos edhe me dhimbje fizike. Për të shkruanin e thoshin shumëçka, por mbi të gjitha nënvizonin përshtypjen e madhe që linte kudo, duke qenë kurdoherë edhe identiteti i tij, që shpesh e merrnin për të rremë.

Blez Paskal u zhyt në një besimtarì të qetë, indiferente ndaj botës. Ai ishte i përgatitur tashmë për të qenë augustinian ose murg i Shën-Bernardit. Pastaj ja tek është në gjirin e një polemike që do të trondiste Kishën franceze: jansenizmi. Por përse është fjala? Në librin e tij Augustinus, Kornej Jansen (Jansenius), peshkopi i Ipres, e kishte bërë të tijën tezën e Shën Augustinit, sipas së cilës, mëshira është e domosdoshme për shpëtim dhe se kjo nuk u jepet gjithë njerëzve. Kjo ishte gati si pikëpamja kalviniste. Nga ana morale jansenizmi ishte i rreptë e me teprime, pra barok: “Nuk ka asgjë të virtytshme, shkruante Fransua Bonal më 1655, nëse i virtytshmi nuk është heroik, aspak i krishterë – nëse nuk është i jashtëzakonshëm, aspak tolerues – nëse nuk është i pangjashëm… Një larushi praktike, që të krijonte përshtypjen e një atmosfere portative, pa shumë vëmendje dhe kujdesje, se gjëra të tjera, madje të pafundme i prisnin dhe koha gjithmonë ishte e pamjaftueshme.

Gjithçka që mund të bëjë mirë, për ata bën shumë keq, mediokriteti sipas shijes së tyre është ves, ajo që nuk është sukses – është mungesë, ai që nuk është i veçantë – është tepër i rëndomtë. Ata nuk gjejnë të madh veç atë që është i pamatë…

Luftuar nga jezuitët, doktrina janseniste ishte përvetësuar nga zotërinjtë e Port-Ruajalit. Jansenistëve, jezuitët u kundërshtonin pikëpamjen se njeriu është i lirë të bëjë të mirën dhe të keqen dhe se Zoti i jep atij mundësinë të shpëtojë nëpërmjet një mëshire të mjaftueshme.

Agustinus u dënua nga Roma, gjë që shkaktoi një polemikë të zjarrtë midis jezuitit at’ Anat dhe Arnodit të madh të Port-Ruajalit. Vetë Arnodi ishte dënuar nga Sorbona, pa mundur të mbrojë pikëpamjen e tij. Paskali u hodh në sulm jo për të mbrojtur përmbajtjen e çështjes – pozicioni i jezuitëve ishte më joshës se fatalizmi jansenist! – por për të sulmuar, me një letër plot qesëndi, proceset e përdorura për të dënuar Arnodin. Që në të parën, Letër Provincialit, suksesi ishte i bujshëm, shoqëruar me një buzëqeshje të përmbajtur, me kohën e gjatë të rëndesës së mendimeve, diçka që u jepte dritë edhe mendimeve të errët, ndonëse përplot reflekse. Thonë se, i pushtuar nga zemërimi, kancelarit i theri shtatë herë në zemër! Policia e mbushi Parisin me informatorë për të gjetur autorin anonim të pamfletit dhe vendin se ku ishte shtypur, por më kot. Gjatë katërmbëdhjetë muajve të ardhshëm, u botuan edhe shtatëmbëdhjetë letra të tjera. Por ndërkohë Paskali nuk po përdorte më stilin therës të letrës së parë, për t’u marrë me polemikën e mëshirës, por edhe pa arritur të na mallëngjejë, këtë duhet ta pranojmë: ishte jo i njëjtë me të tjerët, jashtë formatit. Duke akuzuar jezuitët se me teorinë e tyre kasuistike, toleronin imoralitetin ai bëri që të shpërthejë përsëri polemika. Ah, ai gjoksi i tij i madh e dinte ç’vuante brenda, mendimi i bardhë e i zbuluar, i qartë dhe elegant, rënkues e i rëndë, të cilit ende nuk i dihej pesha e së vërtetës së fuqishme, por që për nga stili të vinte që ta përpije, ndonëse prej tyre herë-herë të egërsohej fytyra dhe të dukej vetë mendimi si një bishë të frikshme me gjithë atë bukuri sunduese e mbytëse gjer në një oh stilistike, që të shpëtonte pa e pasur mendjen… Duke u mbështetur në teologjinë morale, përmbledhje shkrimesh të njerëzve të ditur, të grumbulluara nga jezuiti i flaktë Eskobar, Paskali e gozhdoi doktrinën dhe shpërdoruesit e saj:

Çfarë, etërit e mi, ju lejohet juve të thoni se për të shmangur një shuplakë apo një fyerje mund të vrasësh, ndërsa nuk lejohet të kundërshtosh publikisht një gabim të njohur po publikisht me pasoja të tilla? Juve ju lejohet të thoni se një gjykatës mund ta mbajë atë çfarë ka marrë për një padrejtësi që ka bërë dhe askush të mos ketë të drejtë ta kundërshtojë këtë? Ju mund të shtypni me privilegjin dhe pëlqimin e doktorëve tuaj, gjithçka mund të shpëtohet pa patur kurrë dashuri për Zotin, e t’u mbyllni gojën atyre që duan të mbrojnë të vërtetën e besimit, duke u thënë se do të plagosin mëshirën e vëllezërve dhe thjeshtësinë e krishterë duke u sulmuar ju dhe duke qeshur me sentencat tuaja? Unë dyshoj, etërit e mi, se mund t’u besojë kush… Dhe sytë e tij të zinj mbusheshin plot shkreptima, balli i lartë i bardhë si alabastër ku drita e ditës dhe e natës s’shkulej që andej, flokët e mëdhenj e përplot onde vezulluese që i zbrisnin prapa gjer te mesi i kurrizit, si të punuara nga një dorë mjeshtri, nga një merakli i hireve njerëzore, donin të tërhiqnin vëmendjen.

Në të vërtetë jezuitët besonin në lirinë e mëkatit dhe prej këtej në përsosmërinë e mëkatarit, ata do t’i pëlqenin papajtueshmërisë janseniste një mëshirë që do të kishte parasysh zjarrin. Nëse disa doktorë kazuistë e tepronin, nuk është më pak e qashtër se duke i përqendruar sulmet mbi ta, Paskali në mënyrë të pandërgjegjshme ka farkëtuar gjuhën e kritikës antifetare të shekullit XVIII. Mendimi i vërtetë nuk është kanconetë zbavitëse, po natyra vetë, gjëmimi i rrufesë që shkreptin e shkrumbon, shtrëngata që ngre detin dhe mbush qiellin me valë, shigjetimi i stuhishëm, Apoloni që vë në provë të vërtetën! Duket se Blez Paskali e shpik zërin e natyrës. Ç’dhimbje, ç’vuajtje që zgjat! Vërtet lindje e vështirë! Gjatë çdo përpunimi mendor atij i rrihte zemra si e çmendur, i mbahej fryma, ndaj dhe luste Zotin të rrinte sa më gjatë në atë gjendje dhe të përjetonte ashtu një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës…

Më 1657, Paskali nxori të tetëmbëdhjetën e të fundit të serisë Letrat Provinciale. Atëherë sëmundja e kishte dërrmuar. Jeta plot vuajtje e tij do të mbaronte pas pesë vjetësh. Vitet e fundit të Paskalit në të vërtetë ishin një luftë gati e pandërprerë kundër vdekjes. Heroikisht ai duronte dhimbjet. Në trashëgiminë e tij, shkruar në copa letrash, mund të lexohen një numër i madh idesh e mendimesh për shumë të panjohura të ekzistencës. Në vitin 1670 ato u botuan me titullin, tashmë të njohur, Mendime. Këto aforizma, të cilat kanë të bëjnë më shumë me shpirtin tregojnë se Paskali ishte nën ndikimin e Esseve të Montenjit. Por Paskali, duke besuar në jetën e përtejme, i vendos në një nivel më të lartë. E ‘duartrokitën’ të hutuar e  në panik. Nuk është kaq e lehtë të përballesh brutalisht me një spikamë sfiduese, së cilës ke qejf t’i përulesh pa kushte, me një pamje prej tuhafi, pse jo, – për të fituar jetën! Blezi e konstaton dhe e përjeton me hidhërim kotësinë e jetës tokësore dhe dobësinë e njeriut. Kurse Montenji kalon mbi vogëlsitë e jetës njerëzore dhe të panjohurën e ekzistencës me një buzëqeshje skeptike. Ndërkaq, Paskalin, këto probleme e fusin në një shqetësim të madh:

Duke parë verbërinë dhe mjerimin e njeriut, duke parë me vëmendje gjithë universin që hesht, njeriun pa dritë, të hutuar e të braktisur në këtë skutë të universit, pa ditur kush e ka sjellë, ose pse ka ardhur dhe ç’do të bëhet me këtë pas vdekjes, i pafuqishëm t’i mësojë, unë tmerrohem, si një njeri që do ta kishte zënë gjumi në një ishull të shkretë e të frikshëm dhe kur të zgjohej të mos dinte ku ndodhej e sesi mund të dilte së andejmi. Por mbi të gjitha këtu unë admiroj faktin sesi nuk bie në dëshpërim ky fatkeq nga kjo gjendje e mjerë. Unë shoh që si unë të ketë edhe të tjerë, të cilëve u kërkoj që të mos dinë më tepër se unë… Gjithçka e shkruan i strukur atje te qoshku, në lozhën e mënjanuar, i rënduar në sy, atë e shikonin si perëndi, sa herë që e shihnin të kruspullosur nuk i reshtnin duartrokitjet, madje pjesa më e madhe e tyre ngriheshin në këmbë të mahnitur prej asaj që shihnin të magjijuar prej mendimeve të tij, të cilat edhe sot meritojnë respektin e madh të të gjithë njerëzimit. Njeri i jashtëzakonshëm, i pajisur me një forcë mendore të mistershme. Ai ishte matematikani i madh, fizikani i mahnitshëm, filozof fetar i jashtëzakonshëm dhe mjeshtër i shquar i prozës frënge. Ai hodhi themelet për teorinë moderne të probabilitetit, formuloi parimin e presionit që iu njoh si parimi i Paskalit dhe përhapi një doktrinë fetare që mësonte përvojën e Perëndisë përmes zemrës dhe jo përmes arsyes. Krijimi i parimit të tij të intuitizmit që pati një ndikim te filozofët e mëvonshëm si Jean-Jacques Rousseau dhe Henri Bergson dhe gjithashtu tek ekzistencialistët.

Ne njerëzit, vazhdon Paskali, e shpërdorojmë jetën që na është dhënë, sepse ne jetojmë të shkuarën dhe të ardhmen, ndërsa e tashmja nuk është kurrë qëllimi ynë real. Në këtë kuptim ne nuk jetojmë kurrë me të vërtetë, por veç shpresojmë se do të jetojmë një ditë. Prandaj ne nuk mund të jemi kurrë të lumtur, sepse vazhdimisht shpresojmë në një lumturi që nuk mund ta arrijmë kurrë. Blez Paskal të trondit. Kotësia e njeriut duket edhe në raste të tjera, për shembull sa pak gjëra mjaftojnë për të turbulluar edhe mendimin e gjeniut më të madh! Do të mjaftonte vetëm kërcitja e një pllake fluturuese, ose ardhja përqark e një mushkonje sipër kokës. Një ndjesi e çuditshme, një fir prej humbjes si autosugjestion. Ç’po ndodhte? Kushdo që e shihte dridhej, rrëqethej, donte t’i binte në gjunjë asaj mrekullie. “Nëse doni që ky gjeni të zbulojë të vërtetën, largojani insektin e vogël që i turbullon mendimet! Njeriu është vetëm një kallam i dobët, të cilin mund ta thyejë edhe era. Por te ky “kallam që mendon”, ka njëfarë madhështie edhe kur e ndjen veten të mjerë dhe është pikërisht kjo madhështi që i jep vlerë në sytë e përjetësisë“…

 

Tiranë, më 24.05.2023

Nga Xhevair Lleshi