Pozicionuar në qendër të qytetit, jo larg Kalasë, ndodhet Muzeu Etnografik në Elbasan, i cili është një shtëpi dy-katëshe e shekullit të 18-të që rrëfen kulturën, folklorin dhe stilin e jetesës së qytetit.
Ajo që bie më së shumti në sy është se në këtë muze ruhen me fanatizëm tiparet, motivet dhe çdo copëz detaji nga dhoma ku rrinte nusja e re e shtëpisë.
Mbresëlënëse janë mobiljet e punuara me dorë, të cilat tregojnë një mjeshtëri të jashtëzakonshme artizanale. Krevati i lartë me shtrojën e bardhë që qëndron në qendër të dhomës, komodinat dhe dollapët e gdhendura me motive tradicionale, si dhe çdo element tjetër janë dëshmi e pasurisë kulturore dhe e kujdesit për detajet që karakterizojnë artin e mjeshtrave të zonës.
Objektet dekorative janë vendosur me kujdes në çdo cep të dhomës. Pasqyrat me korniza të gdhendura, llambadarët elegantë, perdet, mbulesat dhe qilimat e qëndisura me dorë, pasqyrojnë në mënyrë të detajuar kulturën dhe folkun e Shqipërisë së Mesme.
Kjo dhomë ngërthen një mozaik të pasur tiparesh etnografike, andaj vizita e saj është udhëtim në kohë, një përjetim i veçantë i cili na sjell më pranë rrënjëve tona, duke na bërë të vlerësojmë më shumë trashëgiminë tonë kulturore.