Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), në bashkëpunim me Universitetin Kanadez të Teknologjisë (CIT), organizoi një aktivitet unik dhe frymëzues në qytetin historik të Durrësit, e cila përkoi edhe me ditën Kombëtare të Rinisë.
Ky udhëtim i veçantë kombinoi trashëgiminë kulturore me inovacionin teknologjik, duke ofruar një përvojë të pasur dhe të veçantë për të rinjtë.
Ata vizituan si fillim Kullën Veneciane, ku ekspertët i njohën me historinë, restaurimin dhe teknologjitë digjitale për ruajtjen e trashëgimisë, një përvojë mbresëlënëse veçanërisht për studentët e CIT.
Më pas, u vijua me vizitën te Amfiteatri i Durrësit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, i cili është duke u shqyrtuar për t’u përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ky ekskursion ofroi një përvojë gjithëpërfshirëse dhe synoi të frymëzojë të rinjtë për të vlerësuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore, ndërkohë që nxiti ide mbi përdorimin e teknologjisë për mbrojtjen dhe promovimin e saj.
Pjesëmarrësit përmbyllën ditën duke shijuar kuzhinën tradicionale të zonës dhe një shëtitje relaksuese buzë detit.