Ky cikël këngësh legjendare, i shoqëruar me lahutë, është tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare, ku në qendër ka dy vëllezërit: Mujin dhe Halilin.
Eposi konstatohet të këndohet në Malësinë e Madhe, Rranzat, Postribë, Shllak e Dukagjin, Nikaj, Mërtur, Krasniqeja e Gashi, Bytyçi, Berishë, Has si dhe në Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit me qendrat: Pejë, Gjakovë, Prizren, Rahovec, Deçan, Istog e Suharekë.
Koha e formimit të tij lokalizohet të jetë përpara dyndjes sllave në Ballkan, pra parasllav dhe paraturk.
Për shumë studiues, vlera e tij krahasohet me eposin homerik, sagat e Skandinavisë, kalevalën, nilinat ruse etj.
Ai është kënduar vetëm në odat e miqve, kuvendet e burrave, si dhe në festa të ndryshme, pa stimuj materialë për rapsodët.
Ndër këngët e veçanta të ciklit përmendim: “Martesa e Mujit”, “Fuqia e Mujit”, “Orët e Mujit”, “Vaji i Ajkunës”, “Martesa e Halilit”, “Muji e tri zanat e malit”, “Halili pret Pajo Harambashin”, “Orët e Bjeshkës” etj. Nga shumë studiues janë vënë re ngjashmëritë e eposit tonë me poemat homerike.