Të nderuar miq, dashamirës dhe bashkëpunëtorë,
Kam kënaqësinë t’ju prezantoj me vizionin dhe qëllimet e Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, i cili në vitin 2013 hodhi hapat e tij të parë në rrugën e gjatë të veprimtarisë së tij në fushën e edukimit, në promovimin e trashëgimisë, vlerave dhe traditave shqiptare që janë pasuri kombëtare të vyera.
Gjatë kësaj periudhe, puna e vazhdueshme dhe me përgjegjësi e stafit të Institutit dhe bashkëpunëtorëve të tij ka bërë të mundur që në një kohë shumë të shkurtër të vendosen bazat e një veprimtarie të larmishme edukative dhe kulturore.
Roli i Institutit është gjithëpërfshirës. Ai ka organizuar seminare dhe aktivitete të ndryshme në kuadër të zhvillimit të fushës së edukimit, në të gjitha nivelet e tij, duke përfshirë hartimin e teksteve shkollore dhe universitare, botimin e librave, si dhe leksione e trajnime të shumta për studentë, mësimdhënës, drejtues shkollash dhe pedagogë.
Gjithashtu, IETT ka ndërmarrë një sërë nismash për pasurimin e librotekave të institucioneve publike e private në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, projekt të cilin pritet ta zgjerojë në të ardhmen, me qëllim përhapjen e dijes, kulturës dhe vlerave edukativo – arsimore.
E një rëndësie të veçantë është edhe përpjekja e IETT-së për studimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare e cila përbën një shtyllë tejet të rëndësishme për ruajtjen e vlerave materiale e shpirtërore të kombit tonë. Promovimi gjithëpërfshirës i kësaj trashëgimie përbën një ndër objektivët tanë kryesorë, për realizimin e të cilit organizohen studime dhe aktivitete të ndryshme, në bashkëpunim me institucione të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit.
IETT, përveç të tjerave, ka për qëllim promovimin e vendeve turistike të vendit tonë për vizitorë të shumtë nga rajoni dhe bota. Në kuadër të njohjes së mrekullive natyrore dhe kulturore të vendit, Instituti organizon udhëtime kulturore me vizitorë të huaj në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu, merr pjesë në panaire kombëtare e ndërkombëtare, si dhe realizon takime me kompani të njohura turistike, në mënyrë që të mbështesë zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Si rrjedhojë e këtyre arritjeve, Instituti ynë është fokusuar edhe në krijimin e paketave turistike kulturore, si dhe shoqërimin e turistëve të huaj në çdo detaj të qëndrimit të tyre në Shqipëri dhe Kosovë.
Pavarësisht sfidave të shumta, të trashëguara dhe aktuale, ne vazhdojmë të punojmë me përkushtim për përparimin e veprimtarive që mundësojnë promovimin dhe zhvillimin e vendit.
Arritjet tona ndër vite i dedikohen përpjekjeve të bordit, stafit, dhe të gjithë atyre që na kanë mbështetur. Prandaj, IETT mban dyert hapur për pjesëmarrjen tuaj në çdo projekt që organizon, me qëllim që të arrijmë më të mirën e mundshme në drejtim të promovimit të kulturës, historisë dhe turizmit tonë të mrekullueshëm.
Me respekt,
Prof. Dr. Nevila Nika
Drejtoreshë e IETT