Gjirokastra, pjesë e trashëgimisë botërore, është një qytet i veçantë në jug të Shqipërisë, ndërtuar në shpatet e pjerrëta, me shtëpitë prej guri që duket sikur janë ngritur mbi njëra-tjetrën. Aty gjendet pazari dhe kalaja më e vjetër e gjithë Ballkanit së bashku me shtëpitë më të famshme në vend, si ajo e fëmijërisë së Ismail Kadaresë apo Enver Hoxhës, por edhe të familjeve të tjera vendase të shquara, në rrugët me kalldrëm të këtij qyteti. Nga faqja e këtij mali ajo shtrihet deri në buzën e lumit Drino, i cili krijon një luginë shumë të bukur në anën lindore të qytetit.
Në vitin 1961 shteti shqiptar e shpalli “qytet muze”. Në Gjirokastër mund të vizitoni Muzeun Kombëtar të Armëve, Muzeun Etnografik e një sërë banesash karakteristike si Zekatet, Babametot, Angonatet, Dulajt etj. Gjirokastra është qyteti i festivale folklorike kombëtare prej vitit 1968. Në kështjellë mblidhen çdo katër vjet grupe shqiptare popullore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia dhe treva ku flitet shqip.
Qyteti i gurtë njihet jo më pak edhe për panoramën e tij malore, e cila e rrethon Gjirokastrën në tërësi. E sikur të duhej më tepër, në rrethinat e Gjirokastrës gjenden qytetet e bukura antike të Antigonesë dhe Adrianopolit si edhe disa bukuri të rralla natyrore si Liqeni i Viroit dhe Kanioni i Lengaricës ndër shumë të tjera.