Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit u paraqit në këtë konferencë shkencore me temën: “Efektet socio-kulturore të zejtarisë në Preshevë e rrethinë” e prezantuar nga drejtori i IETT, Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj.
Ky aktivitet u organizua nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, në datat 23-24 tetor 2021, në Preshevë. Në aktivitet morën pjesë studiues dhe përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Lugina e Preshevës, diaspora, etj.
Lugina e Preshevës dhe viset shqiptare kanë një histori të pasur mbi zejtarinë dhe tregtinë, të cilat nuk janë hulumtuar, studiuar, trajtuar dhe shqyrtuar shkencërisht në aspektin historik, ekonomik, sociologjik, kulturor etj.
Kjo konferencë solli hulumtime, studime, mendime dhe fakte të zhvillimit të zejtarisë dhe tregtisë në Luginë të Preshevës, që nga fillimet e saj të para në shekullin XVI, përkatësisht në vitin 1570, ku për herë të parë është regjistruar një zejtar-farkëtar, zhvillimin dhe kulmin që e arriti në shekullin e XIX, XX dhe gjendjen e saj në vazhdim.
Gjithashtu, me shumë rëndësi ishin mendimet dhe idetë e sjella për ruajtjen dhe rijetësimin e kësaj trashëgimie, duke patur parasysh se punimet artizanale që dalin nga zejtaritë tona janë produkte që e bëjnë një komb krenar para botës, sepse ato mbajnë shenja dalluese të trashëgimisë dhe identitetit të tij kulturor.