Më 12 dhe 13 shkurt, Tirana mirëpriti Tourism & Travel Show Albania 2025, panairin më të madh të turizmit në vend, ku morën pjesë ekspozues dhe blerës nga vende të ndryshme të botës për të zbuluar mundësi të reja dhe për të forcuar bashkëpunimet në këtë sektor.
IETT vizitoi panairin për të krijuar lidhje me agjencitë turistike, institucionet dhe operatorët kryesorë të tregut. Një vëmendje e veçantë iu kushtua stendës së Kosovës, ku u diskutuan projekte për fuqizimin e turizmit në rajon. U përqendruam në risitë rreth vendeve turistike në Junik, turizmit të aventurës në Pejë dhe shtegut Via Dinarica, të cilat po kthehen në pika tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj. Panairi nxori në pah rëndësinë e risive dhe qasjes krijuese për ta bërë rajonin më konkurrues në tregun ndërkombëtar. Ky aktivitet dy-ditor u shndërrua në një hapësirë frymëzuese për të ardhmen e turizmit në Shqipëri dhe më gjerë.
