ECTN (European Cultural Tourism Network) është i vetmi rrjet në mbarë Europën, që ka për qëllim nxjerrjen e vlerave zhvillimore të turizmit kulturor. I regjistruar në vitin 2009, në Bruksel, ky rrjet synon mbështetjen e shpërndarjes së hulumtimeve, bashkëpunimeve midis kombësive të ndryshme, përmirësimin e turizmit kulturor, shkëmbimin e përvojave si dhe krijimin e mjeteve dhe qasjeve të reja.
Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 12-të Ndërkombëtare të organizuar nga ECTN në Granada, arriti një marrëveshje bashkëpunimi me Presidentin e kësaj organizate, z. Raitis Sijats, dhe Sekretarin e përgjithshëm të saj, z. Manos Vougioukas, për anëtarësimin e IETT në Rrjetin Europian të Turizmit Kulturor. Pas miratimit nga Bordi i ECTN, që prej janarit të vitit 2020, IETT është zyrtarisht pjesë e këtij rrjeti.
ECTN është anëtare e dy institucioneve të rëndësishme EHA (European Heritage Aliance), e cila koordinohet nga Europa Nostra dhe ETMGJ (European Tourism Manifesto for Growth and Jobs), që koordinohet nga Komisioni Europian i Udhëtimeve.
Ajo ka 30 anëtarë në 20 vende të ndryshme të Europës, duke përfshirë: institucione, universitete dhe OJQ të ndryshme, me fokus të veçantë arritjen e një niveli të lartë bashkëpunimi midis anëtarëve në fushën e turizmit kulturor, në marrëdhënie të ngushtë me Institucionet e Bashkimit Europian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare.