Ishulli i Maligradit është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore dhe një perlë mes liqenit të Prespës së Madhe. Gjendet në Liqenin e Prespës së Madhe dhe është ishulli i dytë më i madh në liqen dhe ndodhet vetëm 20 minuta me varkë nga fshati Pustec. I njohur ndryshe edhe si “Ishulli i gjarpërinjve”, ka një sipërfaqe afërsisht 5 ha dhe është një ishull i vogël karstik tektonik, i pozicionuar 900 metra mbi nivelin e detit.
Një destinacion unik, ku gjetjet arkeologjike dhe Kisha e Shën Mërisë, do t’ju surprizojnë përgjatë eksplorimit të zonës. Është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore. Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte arkeologjike si tjegulla, kollona e kapitele, që i përkasin një kishe paleokristiane, e cila mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit. Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësit shqiptarë. Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme, të lidhura me historinë e këtij monumenti.
Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske. Ishulli ka gjatësi rreth 800 metra e gjerësi rreth 200 metra dhe rrethohet nga shpate shumë të pjerrët, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij. Në këtë ishull ka bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, shpella e zgavra karstike.