Një performancë tradicionale popullore, e cila është ruajtur gjallë për shekuj me radhë në vendin tonë: Iso-polifonia. Një mënyrë e të kënduarit ku disa zëra sinkronizohen dhe shprehin në mënyrë të jashtëzakonshme qoftë pikëllimin, qoftë gëzimin. Këngët që zakonisht dëgjojmë në zonat jugore të Shqipërisë mbartin në vetvete një trashëgimi kulturore shumë të vlefshme. Nuk është për t’u çuditur që është përfshirë në 50 atraksionet më interesante në botë dhe mbrohet si trashëgimi kulturore jomateriale nga UNESCO. Mjaft interesante është fakti se, gjatë shekujve, iso-polifonia është ruajtur dhe mbrojtur brez pas brezi, dhe edhe sot mund të dëgjosh tingujt e saj origjinalë.

Iso-polifonia shqiptare ka tërhequr vëmendjen e studiuesve, si vendas ashtu edhe të huaj. Ajo është në të vërtetë një mënyrë shumë interesante të kënduari. Zakonisht interpretohet nga tre solistë, të cilët ia kalojnë tingullin njëri-tjetrit, dhe kori, që shton në vijën melodike të këngës me zanore të zgjatura. Por nuk është vetëm tingulli ai që tërheq dëgjuesit. Përmbajtja e teksteve rrëfen për historinë e vendit tonë si dhe për natyrën. Kjo natyrë epike e këngëve është një shtysë për kërkime të mëtejshme mbi origjinën e tyre. Megjithatë, origjina e vërtetë e iso-polifonisë vazhdon të mbetet një mister për studiuesit. Edhe vendasit e konsiderojnë atë një mënyrë instinktive të kënduari.

Ky thesar i folklorit shqiptar dhe botëror është traditë e Shqipërisë së Jugut, ose më saktësisht e Labërisë. Kjo zonë përfshin rrethet e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit. Ajo është gjithashtu e përhapur në periferi të këtyre zonave, si Lunxhëri, Dukat, Kurvelesh, Mallakastër, dhe vijon deri në zonën e Çamërisë.

Mendohet se iso-polifonia është e lidhur ngushtë me tingujt e natyrës. Madje thuhet se mënyra e të kënduarit në zonat pranë detit ndryshon disi nga ajo në zonat malore. Në këto territore organizohen vazhdimisht aktivitete për të identifikuar dhe promovuar këtë trashëgimi kulturore shqiptare. Është vazhdimësia e një forme arti dhe tradite të krijuar nga shpirti i popullit ndër shekuj, e cila ende ruan fragmente të historisë sonë.