Dita e dytë
Fëmijët bënë një vizitë në liqenin e Belshit, luajtën lojëra të ndryshme edukative dhe argëtuese, lojëra me ujë, ushqime të lehta buzë pishinës, duke parë detin, krijuan ese letrare me tema të veçanta si: “Heroi im”, “Familja ime”, “Një jetë e shëndetshme” dhe shumë aktivitete të tjera.
Dita e tretë
Dita e tretë e kampit ishte edhe më argëtuese.
Programi filloi me një vizitë në Fermën Albanët, ku fëmijët vizituan muzeun etnografik, shtëpitë e shpendëve, parcelat dhe serat e bimëve dhe erëzave si dhe kopshtet me pemë frutore. Lojëra të ndryshme tavoline, lojëra sportive dhe kërcim zumba argëtuan edhe më shumë fëmijët gjatë kësaj vizite.
Pjesë e programit ishte edhe leksioni i Koordinatores së IETT për trashëgiminë dhe turizmin në Shqipëri, i cili u ndërthur me një lojë ku secili fëmijë luante rolin e një ciceroni turistik. Pjesa tjetër e ditës iu kushtua sportit, ku fëmijët kapnin monedha nën ujë dhe luanin basketboll në fushën e qendrës.
Buzëqeshja e tyre është qëllimi ynë kryesor!
Dita e katërt
T’i japim fëmijëve një pushim nga ekranet dhe teknologjia! Ky është një thetër objektiv që kemi në Kampin Veror të IETT!
Kampistët tanë të vegjël patën një ditë tjetër relaksuese dhe argëtuese! Futboll për djemtë, gjimnastikë e lehtë për vajzat dhe një udhëtim i shkurtër në plazhin e Durrësit për t’u zhytur në ujë.
Duke qenë se dje leksionet kishin të bënin me turizmin dhe trashëgiminë kulturore në Shqipëri, leksionet e sotme kishin të bënin me fenë dhe është e rëndësishme për të na formuar si njerëz. Aktivitetet tona janë krijuar për të ndërtuar besim, aftësi të reja dhe talent të pashfrytëzuar.
Dita e pestë
Një tjetër ditë me aktivitete në natyrë për kampistët e IETT 2021
Ishte një ditë e veçantë sepse kampistët tanë shkuan në një ekskursion në qytetin simpatik mesjetar të Krujës. Për të alternuar udhëtimin me mësime edukative ata u njohën me rëndësinë historike të këtij qyteti për Shqipërinë. Gjatë kthimit ata bënë një ndalesë në plazhin e Durrësit, për të bërë një shëtitje përgjatë bregut, për të luajtur disa lojëra me njëri-tjetrin dhe për të shijuar perëndimin e bukur të diellit në detin Adriatik.
Dita e gjashtë
Një ditë e veçantë në Kampin Veror të IETT.
Aktivitetet e sotme u organizuan sipas rastit të veçantë të Kurban Bajramit. Fëmijët u njohën me historinë dhe rëndësinë e një prej datave më të shenjta në kalendarin islam, përmes një ligjërate të hapur. Ata gjithashtu eksploruan rëndësinë e shërbimit ndaj komunitetit duke bërë bamirësi në qytetin e Kavajës ku morën masa për të bërë një ndryshim pozitiv në komunitetin tonë lokal. Pas festimit të kësaj dite të veçantë në Qendrën Kulturore ‘Milenium’, ata i priste një surprizë në “Atrio Hotel”në Durrës, ku shijuan pishinën në tarracën e rezervuar për ta.
Të tjera surpriza na presin.
Bëhu një kampist i lumtur!