Kalaja për të cilën besohet se është ndërtuar në shekullin e katërt para erës sonë është kurora e qytetit antik të Beratit.
Ajo ndodhet në pikën më të lartë të qendrës historike dhe është nga të paktat monumente të periudhës mesjetare në Shqipëri.
Në shek. VII-V p.e.s, si një pikë strategjike e rëndësishme, ajo u shndërrua në qytet kështjellë me mure që arrinin në gjatësi deri në 1400 m. Burimet historike dëshmojnë se prej këtij viti kalaja e Beratit ka qenë objekt i sulmeve të ndryshme.
Nga romakët, ajo u quajt Fortesa e Arbërve ndërsa, në vitin 216 p.e.s, ajo u përmend me emrin e lashtë Antipatrea.
E qarkuar me mure prej guri, me 24 kulla vrojtimi, Kalaja e Beratit është nga më të bukurat në Shqipëri.
Porta e madhe, e ndërtuar mbi gurë gjigandë, tregon një siluetë solemne të rrallë për çdo vizitor që shkel për herë të parë në Kala.
Nga oborri i fortifikuar i saj shihet i gjithë qyteti i Beratit, lumi Osum dhe ura e vjetër e Goricës.
Brenda kalasë ndodhen disa kisha, të cilat kanë nisur të ndërtohen që prej shek. XV, siç janë: kisha e Shën Todrit, kisha e Shën Mërisë së Vllahernës, gjithashtu dhe Katedralja “Fjetja e Shën Marisë”.
Si në asnjë kala tjetër, jeta brenda mureve të lashta të saj akoma vazhdon. Në këtë monument sot ndodhen shtëpi, lokale e restorante, kisa e pazare, muze e monumente, të rrethuara nga një natyrë e gjelbër dhe e freskët.