Kalaja e Prezës ndodhet në verilindje të Tiranës, vetëm pak kilometra larg aeroportit “Nënë Tereza”. Ajo është kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII – XIV. Ajo i përkiste familjes feudale të Topiajve.
Kalaja ka formën e një pesëkëndëshi të çrregullt me kulla të rrumbullakëta në katër nga qoshet e tij dhe me një kullë drejtkëndëshe pranë mesit të njërit prej mureve. Ka një gjatësi prej 80 m dhe gjerësi 50 m. Në oborrin e saj ndodhet një sterë e madhe, ndërsa mbi portë, në një fazë të dytë, është ndërtuar një xhami.
Duke u nisur nga sipërfaqja e vogël e kalasë, mendohet se ajo nuk duhet të ketë shërbyer për banim, por ka pasur vetëm funksion ushtarak. Përmasat e vogla të saj si dhe qëndrueshmëria jo shumë e madhe e mureve rrethuese, e klasifikojnë këtë kala si një objekt që ka shërbyer për vëzhgimin e rrugëve të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake, që kalonin poshtë saj nëpër fushën e Tiranës.
Kjo kala përbën edhe një pikë komunikimi vizual ose të përcjelljes së mesazheve nëpërmjet sinjaleve pamore ndërmjet kalasë së Petrelës, të Krujës, të Durrësit dhe të Ishmit .
Rruga që na dikton drejt hyrjes në kala, e shtruar me kalldrëm, përfundon te një portë e lartë druri, ku ndodhet edhe një mbishkrim, prej të cilit mësojmë më shumë për historinë e kalasë së Prezës. “Mendohet se kalaja është ndërtuar në shekullin e III-të para Krishtit dhe që nga ajo kohë deri në shekullin e XIX-të është rrënuar dhe rindërtuar krejtësisht disa herë dhe nga kjo mori edhe emrin qyteti Feniks (që simbolizon ripërtëritjen)”, thuhet në mbishkrim.
Përveç vlerave historike, nga Kalaja e Prezës të ofrohet një pamje e mrekullueshme e fushave të Tiranës. Ndodhet 22 km larg nga Tirana dhe mund të shkosh aty për 40 minuta.